TemA Online, 16 Nëntor 2011
Fëmijët e kryeministrit shqiptar kanë ngritur një padi kundër Saimir Tahirit, që i ka akuzuar në Kuvend si njerëz të përzjerë në afera e korrupsion. Dhe në tekstin e akt-padisë pretendohet nga ana e tyre se u është shkaktuar “një dëm moral që ka sjellë turbullimin e padrejtë të gjendjes shpirtërore të tyre, si pasojë e fakteve të paligjshme, deklaratave të pavërteta shpifëse dhe fyese”. Po aty thonë se janë cënuar në nderin e personalitetit të tyre, …. duke ndikuar negativisht edhe në opinionin publik e në këtë mënyrë, duke cënuar reputacionin dhe imazhin e tyre”.
Tani, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, kjo që kanë bërë Berishajt është gjëja më normale për këdo. Dhe e vërteta është se secili duhet të përgjigjet për ato që nxjerr nga goja. Por Berishajt, megjithatë, nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë. E në momentin që e bëjnë, rezulton të jetë një karagjozllëk me brirë. Babai i tyre nuk ka lënë ndyrësi pa nxjerrë nga goja, e nuk ka lënë njeri pa e turbulluar në gjendjen shpirtërore e pa e fyer në nder e dinjitet. E prandaj, bash për këtë arsye, edhe sikur të ishin ëngjëj vetë, atyre nuk u takon të ngrejnë padi të tilla. Ata duhet t’i durojnë të gjitha akuzat që bien mbi ta, qofshin dhe më të padrejtat në botë, si një taksë që duhet paguar për babain e tyre rrugaç.
Përsëris, kjo është punë palaçosh. Duhet t’iu vijë turp, kur u shkon mendja të ngrejnë padi e të flasin për nder e dinjitet të cënuar. Sidomos të birit, për të cilin dihet mirë dhe mund të provohet qartë se ka qenë kokë e këmbë i zhytur në aferën e paligjshme të Gërdecit, që pati një fund shumë tragjik.
respublica.al
http://respublica.al/artikuj/2011/11/15/cfare-berishajt-jane-turbulluar-shpirterisht-e-jane-fyer-ne-nder-toube