Budallallëku më i madh që kam lexuar (replikë një shkrimi të H. Çilit)

0
41

Nga Eugen Vasili, 21 prill 2013

Sot lexova në Mapo një artikull të Henri Çilit që fliste për KQZ, dhe se çfarë mund të ndodhte lidhur me të. Kuptohet që kur ai shkruan për një çështje të tillë, përdoret për të hedhur mesazhe që politika më tej t’i përtypë.

Në artikull pas një analize të çalë të tij për shkarkimin e Muhos, fillon dhe bën një vlerësim se mund të ketë një riformatim të KQZ-së. Por ky riformatim sipas tij duhet të bëhet, jo për shkak se KQZ-së i ka humbur legjitimiteti, por sepse përfaqesuesit e të djathtës në KQZ duhet të ndërrohen meqënëse kanë bërë një performancë të dobët, ndërkohë që përfaqësuesit e propozuar nga PS, nuk duhet të rikthehen, pasi kanë shkelur etikën e funksionarit të shërbimit publik duke qenë se i janë kundërvënë atij që i ka ermëruar, pra Kuvendit (!). Sipas tij një funksionar i tillë nuk mund t’i kundërvihet organit të emërtesës (!).

Ky është budallallëku më i madh që kam lexuar (i shkruar i zezë mbi të bardhë), si dhe llogjika më e cëkët e përdorur për vlerësimin e veprimeve të tilla si dorëheqjet. Në radhë të parë H.Ç. me shokë u duket e pamundur që të ketë reagime dhe veprime civile të një individi ndaj kujtdo që shkel ligjin, qoftë ky edhe eprori i tij.

Së dyti, H.Ç. mendon se një funksionar publik, apo një nëpunës shteti duhet të jetë një shërbëtor i bindur i shefit/eprorit të tij (si ai mund ta ketë për zakon që të kërkojë nga vartësit e tij), por një shërbëtor në kuptimin negativ të kësaj fjalë. Pra funksionari publik nuk duhet të ketë ndërgjegje apo edhe vetëvlerësim për veten, kur shikon që shkelet me këmbë nga shefi/eprori, për çështje/veprime që mendon se janë në kundërshtim me ligjin. Pra për H.Ç. dhe të tjerë si ai, në KQZ është më mirë të kesh vemje, njerëz pa dinjitet, sesa individë që kërkojnë, qoftë edhe nga eprori i tyre, zbatimin e ligjit.

Me duket e tmerrshme se si mund të hidhen për publikun argumente të tilla të cekëta, për të realizuar qëllimin, fshirjen e kujtdo që në kryerjen e një detyre, vepron me dinjitet dhe integritet. Për mua e kundërta duhet të ndodhte, pra njërez të tillë duhet të vlerësohen dhe jo të mënjanohen me sebepin e “shkeljes së etikës”, ndaj eprorit.

Për më tepër për Çilin H., në analizën e tij për riformatim barazohet zëvendësimi i anëtarëve për paaftësi ( përfaqësuesit e propozuar nga e djathta) me zëvendësimin e anëtareve që kishin kurajo për të kërkuar zbatimin e ligjit (?!!!).

Çfarë absurditetesh apo edhe vlerësime të cekëta perdoren për të dërguar ujë në mullirin që duam. Nuk e di ndoshta u shfryva shumë, por nuk mund të duroj kur mediokritete të tilla paraqiten si argumente për publikun dhe politikën. /Gazeta Dita/