TemA, 14 Nëntor 2012
Kryeministri Sali Berisha urdhëroi në mbledhjen e sotme të qeverisë ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, që të sigurojë një mijë desh e një mijë qengja për të festua pavarësinë. Berisha tha se kjo nuk është një ide origjinale.
“Do të ketë dreka zyrtare, darka zyrtare, por zoti ministër i bujqësisë duhet të merren të gjitha masat për të përzgjedhur njëmijë desh dhe njëmijë qengja dhe natyrisht, ushqime të tjera e pije. Bashkia e Tiranës ka filluar punën për tortën në Guiness, që do të jetë 4 tonë, çka do të bëjë që ata, që mendojnë të shëtisin atë ditë në rrugën “Murat Toptani”, do ta kenë të pamundur. Ndaj të përcaktohen vendet për njerëzit, pasi do të jetë të shumtë ata, që do të kenë dëshirë të ndjekin aktivitetet. Ajo do të jetë një ditë që ofron të gjitha mundësitë. Ju gazetarët e shihni me habi pasjen e deshve, por ju garantoj se nuk është origjinale. Kjo është një praktikë ndjekur edhe nga lartësitë më të mëdha shtetërore.
Urojmë që të mos ketë shi atë ditë, por edhe nëse bie shi, të mos harrojmë se edhe 100 vjet më parë ishte ditë me shi, ndaj të mos ankohemi. Ne po festojmë ditën më të rëndësishme të këtij një shekulli, me qëllim urimin më të madh e më të mirë për 100 vitet që vijnë. Shqipëria po lë pas 100 vite pavarësi dhe ne patëm shansin të jemi dëshmitarë të kapërcyellit të shekujve. Për ne, të përjetojmë kapërcyellin tjetër të shekujve, edhe në qoftë se shkenca me antioksidantë mund të krijojë një mundësi të re, shanset janë jo shumë reale,” tha Berisha.