Berisha në Mal të Zi: Ata që kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare, ekstremistë

0
42

TemA Online, 25 Janar 2012

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, ka konfirmuar se i qendron idesë së centralit bërthamor.

“Unë besoj se energjia më e pastër dhe me kosto më të ulët është ajo nukleare, por Fukushima të imponon të rishqyrtosh qëndrim, sepse, siç dihet, zonat tona janë tektonike. Kështu që ky projekt mbahet ‘on hold’ deri sa shkenca të zgjidhë të gjitha problemet dhe rreziqet e lidhura me përdorimin e kësaj teknologjie”, u shpreh Berisha.

Sakaq, në lidhje me pyetjen e bashkimit të trojeve shqiptare, Berisha ka thënë se zërat për bashkim janë ekstremistë.

“Sot unë mendoj se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i tyre në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian ka faktuar se është një komunitet apo është një rend, i cili bazohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në liritë dhe të drejtat e individit, në respektim të të gjitha diversiteteve dhe sensitiviteteve në hapësirën e tij. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin evropian. Kështu që zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush. E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në Bashkimin Evropian. Le të marrim shembullin e kroatëve. Kombi kroat votoi këto ditë pothuajse me 2/3 për integrimin në Bashkimin Evropian, çka tregon se qytetarët e vendeve tona, thellë në shpirtin e tyre, janë pro evropian dhe dëshirojnë integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Berisha.