ResPublica.al, 11 shkurt 2012
I kishim harruar për ca kohë ndërprerjet e energjisë elektrike, por ato janë rishfaqur po aq shpesh sa më parë. Përveç ndërprerjeve prej difekteve të natyrës teknike, kemi dhe një situatë energjitike krejt të pafavorshme. Prodhimi i brendshëm ka rënë në mënyrë drastike, ndërsa importimi i energjisë në këto rrethana të emergjencës do të bëhet me kosto; nëse gjenden eksportues, kuptohet.
Ish-drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Andis Harasani, thotë të vetën me këtë rast, por nuk të ngushëllon: “Konsumi vjetor parashikohet të jetë diku te 7.2-7.5 miliardë kilovatorë. Prodhimi nuk është më shumë se 4 miliardë, pra kërkohen fonde për të blerë 3.2 miliardë. Korporata nuk i ka këto fonde”.
Qeveria ka zgjidhur qesen, por aty janë qindarkat e fundit të fondit të kontingjencës. E nëse kriza vijon për një kohë të gjatë (Kemi një vendim të qeverisë bullgare për të bllokuar eksportin, pra janë rreth 1 mijë mega që hiqen nga sistemi, dhe kjo do të sjellë automatikisht rritjen e çmimit të energjisë”, thotë Harasani), qeverisë do t’i duhet të bëjë shkurtime të shpenzimeve publike, kryesisht në investime.
“Mendoj që ka nevojë urgjente të mblidhet Komisioni Ndërshtetëror për Energjinë. Do të ishte e detyrueshme që të kishte ekspertë të opozitës dhe të maxhorancës, të cilët të diskutonin pa ngjyra politike se si mund të zgjidhet kjo situatë”, përfundon Harasani.
Me këtë jep metodën e punës, por nuk jep një ide për të zgjidhur krizën. Ndoshta është e vështirë të gjesh ide në këto rrethana.
E.G.