“Anashkalimi i Presidentit”, Zyra e Protokollit të Shtetit zhvishet nga përgjegjësitë, fajëson bashkinë e Lezhës

0
33

Zyra e Protokollit të Shtetit duke iu referuar ligjit për funksionimin dhe kompetencat e saj ka bërë të ditur se nuk është struktura përgjegjëse për anashkalimin e të drejtës së Presidentit të Republikës për të folur në ceremoninë e 568-vjetorit të “Besëlidhjes së Lezhës”.

Në këtë mënyrë faji për anashkalimin e Presidentit të Republikës në këtë ceremoni i kalon Bashkisë së Lezhës. Në reagimin e Protokollit të Shtetit thuhet se ky organ vepron në përputhje Ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe se ka qenë i pranishëm në ceremonitë ku marrin pjesë personalitetet e shtetit shqiptar për të mbikëqyrur mbarëvajtjen por nuk ka qenë pjesë e hartimit të listës së folësve.

“Protokolli i Shtetit vepron mbi bazën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të tij mbikqyr mbarëvajtjen, nga ana protokollare, të aktiviteteve ku marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të shteteve të tjera dhe të trupit diplomatik. Në këtë kuadër, Protokolli i Shtetit ishte i pranishëm në aktivitetin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës” thuhet në deklaratë.

Në ligjin e Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë parashikohet se “në raste shkeljesh të përsëritura të udhëzimeve që lidhen me zbatimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, Protokolli i Shtetit rezervon të drejtën e propozimit për masa administrative ndaj zyrtarëve të sektorëve që mbulojnë protokollin”.

Por gjithashtu në këtë ligj pavarësisht se protokolli po zhvishet nga përgjegjësit thuhet se “Përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, kombëtare dhe lokale, në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave ngrihet me akt normativ të Këshillit të Ministrave një komision shtetëror, ku merr pjesë edhe Protokolli i Shtetit.”

Protokolli i Shtetit, është zyrë që funksionon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. /F.Stafa/