TemA, 14 Nëntor 2011
Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Makëlluem, deklaroi sot gjatë një takimi në Shkollën e Magjistraturës, se drejtësia e fortë dhe e pavarur është një kusht për të ecur përpara drejt BE. Ajo tha se nuk duhet të bëhet vetëm drejtësi, por duhet parë që po bëhet drejtësi, duke nënkuptuar këtu dhënien e shembujve të fortë. Deklaratat e saj u bënë gjatë prezantimit të një projekti për trajnime në Shkollën e Magjistraturës nga ekspertë të njohur të sistemit të drejtësisë britanike.
“Shteti i së drejtës dhe drejtësia janë në themel të vlerave të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së dhe zemra e një demokracie funksionale dhe të suksesshme. Një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është një kërkesë që Shqipëria të perparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Për gjithë këto arsye, ne kemi dhe do vazhdojmë të fokusojmë mbështetjen tonë në reformën e drejtësisë në Shqipëri.
Meritokracia, pavarësia, profesionalizmi dhe respekti për të drejtat e njeriut janë kërkesa të detyrueshme për çdo gjyqtar, apo aktor të sistemit të drejtësisë. Mungesa e ndonjërës prej tyre ka një impakt negativ mbi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Nuk duhet vetëm të bëhet drejtësi, duhet parë që po bëhet drejtësi,” tha Makëlluem.




