Ambasada britanike shpreh shqetësim për çështjen e kërpit: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

0
66

TemA, 4 Korrik 2012

Historia e tyre është e denjë për një film në Hollivud. Banorët e zonës së Shkrelit në Shkodër mbjellin në vitin 2000 mijëra rrënjë bimë kërp industrial, e një familje me kanabisin. Policia mësyn fshatin, asgjëson bimët dhe arrestohen dhjetëra fshatarë. Që atëherë ka nisur një sagë gjyqësore, e denjë për librin e rekordeve Gines. Tre procese gjyqësore janë zhvilluar deri më tani. Njëherë në vitin 2011, kur fituan banorët, më pas në vitin 2005- 2007 dhe tani sërish një proces tjetër, që ende nuk ka sosur. Çështja është nëse bima e mbjellur është kërp industrial apo është kanabis. Policia beson këtë të fundit, kurse banorët thonë se janë të pafajshëm.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar sot edhe Ambasada Britanike, që deklaron se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

“Ambasada Britanike e ka ndjekur nga afër çështjen si edhe dy çështjet e lidhura me të, që kur filluan në vitin 2001. Ne jemi shumë të shqetësuar që nuk është dhënë akoma një vendim. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Vazhdimi i kësaj situate të paqartë është thellësisht stresues për fermerët dhe familjet e tyre, dhe vazhdon të kërcënojë reputacionin e shoqatës britanike e cila solli farat e kërpit industrial në fillim.

Kjo shoqatë britanike quhet “Partneritet për Zhvillim” dhe është e regjistruar zyrtarisht në Britani, dhe nuk ka asnjë dosje për ndonjë aktivitet të paligjshëm të asnjë lloji. Ambasada do të vazhdojë ta ndjekë ecurinë e kësaj çështje deri në fund, dhe shpreson të shikojë dhënien e drejtësisë sa më shpejt dhe në mënyrë të paanshme për të mirën e të gjithë atyre që janë prekur,” thuhet në deklaratën e ambasadës.