Albin Kurti: Nuk kam ngut për të ardhur në pushtet; dhe nuk dua të kem pronë

0
58

ResPublica.al, 29 shkurt 2012

Në shqiptarja.com ish publikuar sot një intervistë me Albin Kurtin. Intervista është e rubrikës lunch.com të gazetares Mira Kazhani, dhe në të Kurti dilte në një dritë tjetër. Kish pranuar të fliste për jetën e vet intime, për të dashurën (norvegjeze me emrin Rita), për nënën dhe ndikimin që kjo e fundit ka pasur mbi Albinin, etj. Por edhe temat politike nuk kishin mbetur jashtë fokusit.

I pyetur lidhur me Tiranën e Prishtinën, ai jep do përcaktime interesante: “Tirana është revolucionare; për shkak të shesheve të saj. Prishtina është guerrile; për shkak të rrugicave të shumta.” Thotë se s’ka ndërmend kurrë të ketë një pronë, as shtëpi. “Për çfarë ta dua një shtëpi?”, thotë. Optikë jo tipikisht shqiptare, apo jo? Më tej, intervistuesja i fut politikën në bisedë. “Në një farë kuptimi s’do të bëhem kurrë politikan. Por në një kuptim tjetër ndoshta kam qenë gjithmonë”, shprehet ndërdyshazi ai.

Dhe tenton ta masë dhe Vetvendosjen (VV) me këtë kut. “VV, nëse do të vijë në pushtet, do të jetë falë një fitoreje konceptuale të shoqërisë. Nuk bëjmë llogari aleancash dhe koalicionesh. Nëse të duhet të bësh kaq shumë llogari është më bukur të humbasësh. Kam durimin e duhur unë dhe të gjithë kolegët e mi në VV. Ne do të jemi në pushtet në një kohë që shoqëria do të jetë zhvilluar aq mirë sa vërtet unë, apo dikush tjetër do të jetë shërbëtor i heshtur.” Dhe po aty ia ka qejfi të saktësojë diçka: “Institucionet e qeverisë, kryeministria, parlamenti, nuk janë banesa për politikanët. Ata s’duhet të shndërrohen në banorë dhe të rrinë aty si në shtëpi. Kjo është e turpshme.”

Kazhani nuk e fsheh që është i tërhequr shumë nga personaliteti i Kurtit. Kjo gjë duket gjatë gjithë intervistës, por më shumë duket tek mënyra se si ajo e mbyll këtë intervistë. Vesh kostumin e një opinionisteje të sigurtë, dhe thotë: “Më besoni, ky është Albin Kurti. Më besoni ju lexues, por dhe ju politikanë të Tiranës e Prishtinës që lidhni fatet tona në kollaret tuaja të mërzitshme. Por edhe ju ndërkombëtarë që na flisni për forcën dhe shpirtin vital e që zgjidhni të kërceni tango me ngjalat. Ju kuptoj përse distancoheni nga idealizmi, sepse edhe personalisht besoj që ai nuk ekziston, por sonte m’u duk se takova një të tillë. Koha do më japë ose jo të drejtë, por unë gjithmonë do kujtoj se një të enjte të vonë në Tiranë piva verë të athët me një idealist!”

Re.Pu.