Kryeministri ynë si Liza në botën e çudirave

0
103

Para disa ditësh, kryeministri Berisha bëri në mbledhjen e qeverisë një deklaratë në stilin e tij të hareshëm: “411 927 turistë dhe vizitorë më shumë se vitin e kaluar kanë ardhur në Shqipëri deri në datën 8 gusht”. Siç shihet, e ka matur numrin e vizitorëve me saktësi arithmetike (prit kur ndonjë ditë të na e japë me presje dhjetore; fjala vjen, 411927,3 turistë). Në çdo rast, jemi në rrethanat, kur nuk kemi se si ta konfirmojmë apo përgënjeshtrojmë një shifër të tillë. Ku të shkojmë e të pyesim? Kudo janë njerëzit e kryeministrit; dhe strukturat e institucionet e tij.

Në të njëjtën mbledhje e me të njëjtin eksitim, kryeministri vijoi: “Nuk ndodh ndonjëherë në ndonjë vend që turizmi të shënojë një rritje kaq të madhe vjetore, siç po ndodh me Shqipërinë. Shkoni ku të doni, unë ju garantoj se mund të gjeni hotele me shumë yje, por si brigjet shqiptare dhe malet e këtij vendi, tjeter gjë si këto nuk gjeni”. Këtë e thotë ai, ndërsa unë po e saktësoj pak këtë panoramë që flet për unicitetin e botës shqiptare. Një pronar hoteli në Dhërmi e ka zbukuruar hotelin e tij me një flamur të PD-së; e ka vënë mú sipër hyrjes kryesore. Hë, më thoni, ka gjë më unikale se sa kjo? Ku ka një vend tjetër në botë, ku shërbimi turistik të nakatoset në mënyrën më idiotike të mundshme me dalldinë politike të pronarit të hotelit?

Por kthehem tek deklarata e kryeministrit. Ky i fundit duhet paditur si mashtrues publik. Deklarata e tij nuk ka nevojë të përgënjeshtrohet nga statistika institucionesh të pavarura. Ajo përgënjeshtrohet nga çfarë na shohin sytë. Turizmi i këtij viti është në nivele katastrofike. Po e thonë të gjitha media-t. E pastaj, kush ka shkuar në jug, e ka parë me sytë e vet (nëse s’i ka pasur të plasur), që numri i turistëve ka rënë dukshëm. E sikur sytë të na kapnin mirazhe e aberracione, janë dëshmitë e atyre që realizojnë shërbimin turistik, pronarët e restoranteve, hoteleve, plazheve, të cilët thonë me një gojë, që janë duke ndjerë krizën.

Sot Top-channel-i jepte një kronikë nga Durrësi, dhe thosh, se rënia, madje e fortë, ka kapur dhe këtë plazh popullor, i cili, për shkak të çmimeve minimale, na është dukur prore i pakapshmëm prej ndonjë vale krizash. Kudo e ndjejnë krizën. Ajo nuk egziston veç në kaptinën e kryeministrit tonë. Madje, më keq se kaq; egziston në kaptinën e tij, por në variantin upside down, si një begati e paparë.

*respublica.al