Falsifikimi i pasaportave tërbon qeverinë

0
83

TemA

Gazeta e Partisë Demokratike, edhe pse në kulmin e një sezoni lajmesh politike, me një titull gjigant kishte paralajmëruar sot se në Korçë ishin arrestuar tre persona, një pedagog dhe dy punonjës të kompanisë Aleat, që përkundrejt 7 mijë eurove, falsifikonin pasaporta biometrike. Këto pasaporta u shiteshin kriminelëve. Nuk është se gazeta e qeverisë e bën këtë gjë për të lavdëruar punën e policisë dhe prokurorisë, por për t’i paraprirë një gjëmë më të madhe: pasigurisë së dokumenteve të këtij shteti.

Na kujtohet shumë mirë kur opozita denoncoi falsifikimin e kartave të identitetit se si Berisha u shpërfytyrua dhe sulmoi ashpër deputetët e së majtës duke thënë se asnjë njeri nuk mund të thotë këtë për dokumentet e shtetit, a thua se u prek një temë tabu. Tani që të falsifikuara me mjeshtëri janë vetë pasaportat biometrike, jo më kartat e identitetit, ajo që thotë opozita merr vërtetësi. Kjo edhe për shkak se këto dokumente të falsifikuara u përdorën në zgjedhjet e këtij viti.

Dhe ta mendosh se sa akses ka Lulzim Basha tek kompania Aleat. Mjafton të kujtojmë se si abuzoi rëndë me të dhënat personale të shqiptarëve, duke u dërguar secilit mesazh për ditëlindje, një e dhënë që e kishte marrë absolutisht vetëm tek kjo kompani. Duket e tepërt të themi se një gjë e tillë do kishte trazuar shtetin në vende demokratike, por këtu as u hodh në diskutim fare. Ndoshta sërish është e tepërt që të shkruajmë për këtë problem kur këtu zgjedhjet vidhen para kamerave, por ne sërish po realizojmë misionin tonë.