BalkanWeb
TIRANE – Kolegji Zgjedhor vendosi sot paradite të rrëzojë kërkesë padinë e Partisë Socialiste ku kërkohej që të detyrohej KQZ, të shqyrtojë ankesën për pavlefshmëri të rezultatit të 284 qendrave të votimit në Tiranë.
Relatorja e cështjes, Shasenka Jonuzi në shpalljen e këtij vendi argumentoi se kërkesë padia e PS e dorëzuar më 2 Korrik është dorëzuar jashtë afateve të caktuara.
Me këtë vendim të Kolegjit, mbetet në fuqi fitorja në Tiranë e kandidatit të djathtë, Lulzim Basha me 93 vota para ndaj kundërshtarit, Edi Rama.
Seanca dje
Seanca e djeshme e Kolegjit kaloi përmes debatesh mes përfaqësuesve të dy partive kryesore, por edhe përfaqësueses së KQZ-së e Kolegjit. Kolegji në nisje të seancës ka pranuar edhe kërkesën e PD-së për të marrë pjesë në të, si palë e interesuar. Më pas përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri i ka paraqitur trupit të gjyqtarëve argumentet e tij për kërkesë-padinë. Gjiknuri deklaroi se “KQZ-ja rrëzoi në arbitraritet të plotë kërkesën e PS-së, e cila sipas tij ishte brenda afateve ligjore”. Gjiknuri ka theksuar edhe njëherë faktin se sipas PS-së, “284 qendra votimi janë me probleme të dukshme në tabelat përfundimtare, pasi numri i votuesve nuk përputhet me numrin e fletëve të votimit”.
Më tej gjatë seancës, relatorja Sashkenka Jonuzi, ka kërkuar nga deputeti Gjiknuri t’i përmbahet argumenteve lidhur me kërkesë-padinë e paraqitur. Përfaqësuesi tjetër ligjor i PS-së Eridian Saliani, ka paraqitur prova përmes një tabele, të cilat tregojnë problemet e vërejtura në rinumërimin e 284 qendrave të votimit. Por, menjëherë ka reaguar PD-ja, e cila kërkoi të sjellë prova për të kundërshtuar PS-në. Më tej përfaqësuesi i PS-së, Arian Salati është përfshirë në një debat me realatoren e çështjes Sashenka Jonuzi.
Sipas tij “Kolegji po provokon përfaqësuesit e PS-së duke ironizuar provat e paraqitura prej saj”, – tha Salati. Pas debateve ka ndërhyrë anëtarja e Kolegjit Dhurata Havaeri, e cila i kërkoi PS-së, t’i paraqesë provat e përmbledhura. Kur kishte kaluar rreth 1 orë e 30 minuta nga seanca e Kolegjit, Gjiknuri tha se “Kolegji ka tashmë dy mundësi, të detyrojë KQZ-në të pranojë kërkesën e PS-së ose të shpallë pavlefshmëri”. Pas kërkesës së Gjiknurit përfaqësuesit e KQZ-së i kanë kërkuar nga ana e tyre të mos e pranojnë këtë kërkese.
Ndërkohë debate ka pasur edhe mes përfaqësuesve të PD-së, dhe relatores Jonuzi. Kryegjyqtarja Jonuzi i ka kërkuar avokatit të PD-së Ivi Kaso të mos bëjë komente, por pyetje. Përfaqësuesja KQZ-së në Kolegj, Dëshira Pasko kërkesën e saj për rrëzimin e padisë së PS-së e ka bazuar në pretendimet se “është jashtë objektit”. Sipas saj “KQZ-ja nuk ka kompetencë të shqyrtojë këtë kërkesë, por vetëm Kolegji Zgjedhor”.
Pasko shtoi ndër të tjera se kërkesa për pavlefshmëri është jashtë afatit. “KQZ-ja nuk shpall fitues, këtë gjë e bën KZAZ-ja. KQZ-ja shpalli rezultatin më 23 maj, afati për ankimim mbaroi në 26 maj”, – shtoi Pasko. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso është shprehur se “pavlefshmëria duhej të ishte kërkuar gjatë procesit të votimit, nuk kemi bazë për pavlefshmëri. Gjatë votimit nuk është ngritur asnjë pretendim për pavlefshmëri, madje PS-ja e ka vlerësuar procesin e votimit”, – tha ai. Pas një pushimi prej 30 minutash, PS-ja dhe PD-ja kanë paraqitur sërish prova. Kolegji u tërhoq për marrjen e vendimit, i cili do të shpallet sot.
(d.b/GSH/BalkanWeb)




