SHENIM/ Qytetarët e bënë detyrën, tani është koha e kësaj qeverie të shporret

0
28

TemA

Lajmi se Kroacia do hyjë në BE në vitin 2013 duhej të ishte një lajm shumë i mirë për rajonin për shkak se tregon se Unioni i ka dyert e hapura për Ballkanin Perëndimor. Por është një lajm i keq për shqiptarët. Kroatët e morën statusin e vendit kandidat para 7 vitesh dhe mbyllën negociatat tani. Shqipëria nuk e ka marrë ende statusin e vendit kandidat, dhe nëse do punonte me shpejtësinë e korrektësinë e Kroacisë, do i duheshin 7 vjet deri në mbylljen e negociatave, shto këtu pastaj vitet e pritjes për ratifikimin e traktatit të anëtarësimit. Të paktën nja dhjetë vjet. Por ne as sivjet nuk do marrin statusin e kandidatit dhe kjo është mëse e sigurt. Asnjë nga 12 kriteret që ka vënë si kusht BE nuk është plotësuar, edhe pse u bënë dy vite.

Në vlerësimin që ka përgatitur Komisioni Europian ka vetëm një vlerësim: për qytetarët shqiptarë që respektuan lirinë e lëvizjes pa viza. Shqiptarët e ruajtën këtë standard duke treguar se sa shumë e duan ligjin, rendin, integrimin. Kurse qeveria nuk plotësoi asnjë kriter. Po ashtu, SHBA vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarë, të cilët votuan në mënyrë dinjitoze më 8 maj, duke kryer detyrën e tyre. Por është kjo qeveri që po mban peng verdiktin e tyre.

Në këtë mënyrë qytetarët i kanë kryer të gjitha detyrat demokratike ndaj kësaj qeverie. Kanë treguar nivelin më të lartë të demokracisë dhe kulturës. Nuk janë ata që kanë shpikur tjetërsimin e votës, ata që kanë shpikur mosndëshkueshmërinë. Por prej këtyre qeveritarëve po damkosemi, e jo vetëm nga institucionet evropiane, por edhe në imazh. Ne i bëmë detyrat, tani është koha e BE që të thotë qartë se nuk e meritojmë këtë qeveri. Të mos e lëmë këtë qeveri të na përlyejë më tej emrin tonë.