Arabët: Do financojmë ndërtimin e parlamentit të ri në Shqipëri

0
82

Shehu: Na ka sosur buxheti

Pasi kanë ndihmuar në marrjen e një kredie për rrugën Tiranë- Elbasan, arabët janë të gatshëm të ndihmojnë në ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Lajmin e bën të ditur portali i Arabisë Saudite “Arab News”. “Arabia Saudite po diskuton për një projekt për financimin e ndërtimit të parlamentit të ri në Shqipëri, një shtet me shumicë myslimane në juglindje të Europës,” shkruan portali.

Portali i referohet deputetit Sherefedin Shehu, që ndodhet për vizitë në Riad. Ai konfirmon se Arabia do financojë këtë projekt në shenjë solidariteti dhe mbështetje për Shqipërinë. Sipas tij, detajet e financimit të këtij projekti do bëhen të ditura gjatë vizitës së Jozefina Topallit në Arabi së shpejti.

Shehu ka folur edhe për financimin e aksit Tiranë- Elbasan me një kredi arabe. Ai ka thënë në intervistë se “buxheti shqiptar ka mbaruar që tani për shkak të nevojës së madhe për fonde për të financuar planet e projektet e nevojshme.”

Në shkrim thuhet se parlamenti i ri do ndërtohet në mes të Tiranës. Ky projekt ishte kundërshtuar nga kandidati i PD, Lulzim Basha, pasi parashikonte prishjen e Piramidës.