SHENIM/ Serbia marshon drejt BE, ne jemi peng i Mlladiçit tonë

0
97

TemA

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç u shfaq në ekranet e medieve më të mëdha në botë për të lajmëruar arrestimin e Ratko Mlladiç. Foli serbisht, por iu drejtua medieve edhe në anglisht. Është e qartë se ndjehej mirë që i kishte hapur vendit të tij dyert për në BE. “Serbia është i vetmi vend në rajon që ka kapacitetet administrative për të përparuar shpejt drejt BE”, shkruanin mediat e mëdha të Brukselit para ca kohësh.

Tanimë Serbia po sheh nga e ardhmja. I pyetur se a ka lidhje ky arrestim me vizitën e kryediplomates së BE, Ashton në Serbi, Tadiç mohoi gjithçka. Megjithatë presioni mbi Serbinë ka qenë i madh. Vendi që ka bërë luftërat më të ashpra që ka njohur Europa pas Luftës së Dytë Botërore, është para Shqipërisë në rrugën drejt BE. 20 vite luftë e probleme me fqinjët nuk e kanë lënë pas atë.

Po Shqipërinë, kush po e lë pas? A nuk është gjëja më e rëndë që të shohësh se si Beogradin e vizitojnë Barroso e Ashton brenda pak ditësh, kurse Tiranës, kryeqytetit që nuk ka bërë ndonjë luftë me të tjerët, nuk ia hedh kush sytë. Është e kuptueshme që shqiptarët ndjehen të fyer kur shohin sa mbrapa po e lëmë pas veten. Dhe ta mendosh që Mlladiçët nuk i kemi duke u fshehur skutave, por në krye të vendit.