
Ish-trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, ka treguar atë që të gjithë tashmë e dinë në ambientet sportive: presionin që ka bërë ministri i Financave, Ridvan Bode, që Skënderbeu të lejohej të fitohej. Në një intervistë për të përditshmen argjentinase “Ole” {www.ole.com.ar/fuera-de-juego/Renuncie-acepte-salir-perder_0_480552064.html}, ish-trajneri i bluve bën një deklaratë tronditëse, ku akuzon ashpër Boden.
“Kishim rivale skuadrën e Ministrisë së Financave dhe presidenti i klubit tim më kërkoi që unë të lija ndeshjen, pra të humbnim. I thashë ‘jo’ nuk e bëj këtë dhe u largova”, tregon Blanko. Më pas ai ka thënë: Skuadra që renditej e dyta në klasifikim, quhej Skënderbeu, në pronësi të Ridvan Bodes, ministër i Financave në Shqipëri. Na u desh të luanim kundër tyre ditën që do të inauguronin dritat në stadium. U bë një festë ë madhe, përfshirë këtu edhe arbitrin që ishte prezent.
Në pushim të ndeshjes, presidenti i skuadrës sime hyri në dhomat e zhveshjes bashkë me përkthyesin tim dhe ma tha se ministri u kishte thënë: “Nëse më shkatërroni festën, unë do t’ju shkatërroj juve. Më kërkoi që kur të kthehesha në pjesën e dytë, skuadra jonë duhej të humbiste. Nuk po u besoja syve. Ishte e tmerrshme. I thashë presidentit: “Shko dhe fol ti me lojtarët”. Thuajua ti që ta lënë ndeshjen. Unë nuk u kam thënë kurrë lojtarëve të mi të lënë një ndeshje dhe nuk do ta bëj as sot. Më pas u largova”.




