Brukseli: Përgjegjëse për zgjedhjet është qeveria

0
55


TemA

UPDATE – I dërguari i Bashkimit Europian për krizën në Shqipëri, Miroslav Lajçak ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjet është e qeverisë. “Zhvillimi i një procesi zgjedhor të lirë dhe transparent është përgjegjësi e qeverisë dhe jo e ndërkombëtareve,” tha Lajçak gjatë një konference për shtyp.

I dërguari i BE-së ka kërkuar dhe përmirësimin e rregullores së Kuvendit, pas ndryshimeve të fundit të mazhorancës. Duket se këto ndryshime kanë shqetësuar shumë Brukselin. Lajçak ka kërkuar gjithashtu hetim të plotë për 21 janarin.

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, është shprehur i shqetësuar për mungesën e dialogut nga forcat politike në Shqipëri. Ai është shprehur se në dy vizitat e tij të mëparshme ka kërkuar që të nisë dialogu, por kjo gjë nuk ka ndodhur ende nga forcat politike shqiptare, të cilët vazhdojnë që të mbajnë pozicionet e tyre.

“Gjatë vizitave të mia kam thënë se do të kthehem nëse do të ketë përpjekje të ndershme nga aktorët politike shqiptarë por këtë nuk e kemi parë” theksoi Lajçak.

Ky i fundit ka thënë se partitë politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për zgjedhjet lokale, të cilat, siç tha ai, janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Zoti Lajçak shpjegoi se misioni i tij ishtë koordinuar ngushtësisht edhe me qeverinë amerikane dhe se për pasojë kishte përcjellë në takimet e tij edhe idetë e Uashingtonit.

Zoti Lajçak evitoi të komentonte për çështje specifike që lidhen me zgjedhjet apo edhe kërkesat e opozitës për garanci për procesin, por u shpreh se ka ende kohë të përmirësohen elementë që nuk kërkojnë ndryshime të kodit zgjedhor. “Ne duam të shohim pas këtyre zgjedhjeve një raport më të mirë se ai i zgjedhjeve të shkuara. Ka ende kohë dhe shumë gjëra mund të bëhen e të trajtohen nga ato çka janë identifikuar nga ODIHR-i. Një nga objektivat e misionit tim ishte të nxisja politikanët që të angazhohen në trajtimin e ketyre çështjeve”.