Titina
Të pashë, Titinë në dhè të huaj,
në trotuar shpejtonim.
E s’ na u duk se qemë harruar,
aq sa të mos ndalonim.
S’ ishe Titina, si më parë.
Sa shumë kishe ndryshuar!
Nga dita kur një djalë i mbarë,
dorën ta kish kërkuar.
Dikur na kishte zënë qymyri,
një tramundanë na ndau.
Qymyri ynë ishte si pluhuri,
në fusha e dete shkau.
Kur ike, dorën si zhapi,
nga ty mora kujtim.
Të shkretën time biografi,
Ta kishin dhënë me shkrim.
Nga ty Titinë, pak kishte mbetur,
një dritë në fund të syve.
Të kuqet faqe ishin tretur,
Ç’ habi na zu të dyve.
Ajo pak dritë në trotuar
ish gati të më gozhdonte.
Ti me fëmijë, unë me fëmijë,
kjo gjë tashmë nuk shkonte.
—
Diploma fallco
– Cilët jeni ju, që diploma fallco
firmosni?!
– Cilët jeni ju, që histori të errët
vendit i vulosni?!
Nesër do të kemi:
Shefa injorantë
Drejtorë injorantë
Kryetarë injorantë
Deputetë injorantë
Ministra injorantë
Kryeministra injorantë
Nesër, vendi do të jetë i vrarë.
Do të ket’ marrë një fallcokapar,
të ngjashëm me një barbone të kollarisur,
nën urat e botës kapardisur,
gati, këtë vend, për ta zvarrisur.
Nesër?!
Cili kod do na duhej nesër?
Ai civil?
Ai penal?
Për…
Për çështjen “TATËPJETË”?
Ah!…Ndal!…
Le të presim gjykimin Final.
Shume bukur!
Comments are closed.