“Këta bastardë feudalë do të paguajnë një për një”

0
71

Nga Saimir Tahiri, 4 Korrik 2012

Besmiri është jo më shumë se 20 vjeç. Është djali më i vogël i minatorit që humbi jetën dje 1000 m nën tokë, të ndjerit Dilaver Koçi. Vetë Dilaveri kishte humbur një vëlla para disa vitesh, ndërkohë që vjet humbi dhe vëllain tjetër në një aksident.

Dje Dilaveri u shua vetë, në errësirën e galerive të Bulqizës.

La pas një familje pa shumë mundësi për të jetuar, mes halleve të tmerrshme të një jete që nuk përballohet dot.

Besmiri nuk ka mbaruar ende gjimnazin, e tashmë i duhet të bëhet burrë më shumë se mosha e vërtetë, për të mbajtur nënën dhe motrat.

E mora në telefon Besmirin. Nuk e njoh, por jam shpirtërisht aty me të në këtë ditë të zezë për veten dhe familjarët e tij.

Mbahej burrë vërtetë, i detyruar të rritet para kohe nga fatkeqësia.

Kjo është Shqipëria që duam? Ky ishte fati që i takonte Besmirit? Sigurisht JO!

Besmir, Zoti qoftë me ty dhe familjarët e tu. Me aq sa kam fuqi e forcë, unë dhe kolegët e mi, të premtoj me shpirt se dhimbjen tënde për Dilaverin, babain tënd, dhimbjen e të gjithë atyre që kanë humbur familjarët e dashur në galeritë e vdekjes, do ta shpaguajnë një me një, deri në fund, këta feudalët bastardë që sot rrjepin lëkurën e një qyteti të tërë, për të pasuruar xhepat e tyre.

Më vjen keq që të njoha në dhimbje Besmir.