Maqedonia është “Kazablanka e Ballkanit”

0
38

TemA Online, 16 Prill 2012

Pas vrasjes së pesë djemve maqedonas, të enjten e kaluar në Shkup, pati akuza shabllone që autorësinë ua hidhnin shqiptarëve. U shënuan edhe disa sulme ndaj shqiptarëve dhe pasurisë së tyre. Publicisti nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, se këto vrasje vijnë pas një vale incidentesh ndëretnike që ndodhën muajve të fundit.

Sipas Mehmetit, vrasja e pesëfishtë ka ndodhur disa ditë para Pashkëve ortodoks, ndërsa viktimat janë nga një rajon ku gjatë konfliktit të 2001 pati dhjetëra viktima shqiptare dhe ku lagjet e pakta shqiptare janë të rrethuara nga fshatrat me banorë maqedonas.

“Gjitha këto rrethana të çojnë të mendosh se nëse vrasjen nuk e ka bërë ndonjë monstrum apo i sëmurë mendor, atëherë autorë të saj mund të jenë struktura mirë të organizuara që kanë për qëllim që Maqedoninë ta fusin në spiralen e vrasjeve ndëretnike, që nuk do merrnin fund”.

“Më në fund, nëse shqiptarët do donin ta destabilizonin këtë shtet, atë do mund ta bënin pa marrë në qafë viktima të pafajshme, por thjeshtë duke thënë se nuk e duam këtë shtet. Pastaj unë dua të besoj se shqiptarët do e mbrojnë atë ma madhoren që kanë trashëguar nga e kaluara: kurrë mos vrasjen e fëmijëve të pafajshëm dhe kurrë mos i gëzohesh kujës së cilësdo nëne në këtë botë”, ka thënë Mehmeti. Ai tërheq vërejtjen se nuk duhet harruar se Maqedonia është “Kazablanka e Ballkanit”, njësoj siç nuk duhet harruar se në këtë shtet shumëçka dëshmon se vendi është në duart e nëntokës politike e jo në ato të institucioneve shtetërore. /indeksonline/