Dialog me Mustafa Nanon

0
93

Nga Gjergj Meta, 20 prill 2013

Me ju, zoti Nano, dua të bëj dialog. Më pëlqen ta quaj dialog më shumë sesa polemikë, për arsye se fjala polemikë na fton për luftë. Ajo fjalë rrjedh nga pólemos që do të thotë luftë dhe pólemicos që do të thotë luftëtar. Unë dua dialog, pasi e mendoj e jam i bindur që rruga e dialogut është ajo e duhura në të gjitha fushat e jetës për të çuar përpara një çështje e gjithashtu për zhvillimin e shoqërisë. Ndërsa çdo luftë është një zmbrapsje dhe finalja e një lufte është sundimi, ka një fitimtar dhe një të humbur, ndryshe nga dialogu që ka vetëm të fituar. Dialog është një fjalë që ka në përbërjen e saj dy të tjera, dia (midis, ndërmjet) dhe logos (fjalë, diskutim) e ma ka ënda ta mendoj si një lojë ndërmjet të rriturish që hedhin e presin logos-in me të vetmin qëllim për t’u argëtuar e në fund të kënaqen. Por ama në të njëjtën kohë, sikurse loja i rrit fëmijët natyrshëm e i zhvillon ata, ashtu edhe logos-i rrit personalitetin tonë në qasjen ndaj të vërtetës.

Pas kësaj hyrjeje me natyrë etimologjike dua të bëj edhe një nënvizim të dytë për natyrën e shkrimit tuaj në gazetën ‘Shqip’ të datës 16 prill me titull “Nuk është dhe aq keq të zgjedhësh më pak të keqen”. Në pak raste më kanë hasur sytë nga ju zoti Nano një shkrim që, duke iu kundërvënë dikujt, të jeni edhe i shtruar me të. Unë që ju kam lexuar në shtypin e shkruar, nuk mund të them gjithçka, pasi ju shkruani shumë, kam vënë re se në përgjithësi jeni i ashpër e gati-gati shkatërrues me atë që keni vendosur të polemizoni. Ju polemizoni përnjimend e në atë mënyrën tuaj jeni një polemicos, çka më detyron të mbaj një distancë me ca doza antipatie jo vetëm me termin, por edhe me bartësit e tij, që qëllim final kanë për të fituar e për të mundur kundërshtarin. Të jem i sinqertë deri në fund me ju zoti Nano, kjo më duket tipike revolucionare, në kuptim përkeqësues, pasi ndoshta ka të bëjë me faktin që ju përballë keni pasur gjithmonë njerëz që keni dashur t’i përmbysni (ky është vështrimi më i vërtetë i fjalës revolucion).

Por ama në rastin kur më drejtoheni mua, këtë gjë, të paktën unë, nuk e kam nuhatur. Kjo më jep shpresë se mund të dialogohet ndërmjet personave me bindje të ndryshme, në mënyrë të shtruar e pa dashur të imponohemi. Ky është motivi pse atë mëngjes që lexova replikën tuaj për shkrimin tim me titull “E keqja më e vogël ndërmjet moralit dhe politikës”, unë ju dërgova një sms përgëzimi, edhe pse mund të mos jem dakord me ju në shumë pika. Sigurisht dialogu ndërmjet një prifti katolik dhe një laiku agnostik, sikurse ju e quani veten, është një dialog sui generis e në përgjithësi dialogë të tillë në pjesën më të madhe të rasteve kanë përfunduar në trajtimin e çështjeve morale apo më mirë të themi “rragatja” e dy pozicionimeve morale, njëri laik e tjetri fetar dhe ku ata ndahen e ku takohen? Thellë-thellë edhe tema e të keqes më të vogël është një kategori morale.

Për mua si prift katolik kjo temë, në situatën konkrete shqiptare, nuk mund ta fsheh, është një terren i rrëshqitshëm dhe i rrezikshëm për shumë arsye. Arsyeja më e madhe është fakti se ata që lexojnë përgjithësisht nuk janë të mësuar me angazhimin e një prifti në jetën publike e në kryet e tyre ka shumë mite të ushqyera nga koha e kaluar komuniste. Në nënvetëdijen e njeriut të ri komunist, që vazhdon të gjarpërojë në jetën shqiptare, ende figura e priftit është ajo e filmave të realizmit socialist, si te filmi ‘Komisari i dritës’. Ende nuk jemi emancipuar, d.m.th. çliruar, nga paradigma e këtij njeriu të ri. Por për këtë nuk kanë faj, është proces që do të vijë vetvetiu të sqarohet. Është një terren i rrëshqitshëm edhe për arsye objektive, sepse edhe ky prifti me datë 23 qershor do të shkojë të votojë, sikurse thatë ju, e i duhet të zgjedhë.

Nga ana tjetër, sado të tregohesh politically correct, arsyetimi, edhe më objektivi i mundshmi, dashur pa dashur diku do të anojë, por për një gjë jam i bindur, e që ju e keni kuptuar mirë në qëllimin tim, se kurrë nuk do të ngatërroj preferencën time para kutisë së votimit me angazhimin tim publik si prift, duke i qëndruar besnik një parimi të Doktrinës Sociale të Kishës, që thotë se “…Kisha respekton autonominë e ligjshme të rendit demokratik dhe nuk ka tagër të shprehë parapëlqimet për njërën apo tjetrën zgjedhje institucionale apo kushtetuese dhe nuk ka as tagër të hyjë në meritë të programeve politike, përveçse në rastet kur ka implikime religjioze apo morale” (Centesimus annus 47).

Ju keni të drejtë në një gjë. Shkrimi im ka marrë shkas nga ajo çka kam lexuar në mënyrë të përsëritur në Respublica-n që ju drejtoni, sidomos në atë që i përket konceptit të së keqes më të vogël. Gjithashtu, unë mund të bie dakord me ju në shumë pika, sidomos në faktin që përballë kemi situata konkrete e jo teori, kemi data, emra, fytyra, histori që secilit nga ne në fakt i thonë gjëra të ndryshme e kemi edhe kute të ndryshme matjeje për secilin, por ndërmjet shkrimit tuaj dhe timit ka një diferencë substancore që ka të bëjë me perspektivën. Vështrimi juaj nuk është më larg sesa data 23 qershor 2013. Gjithë energjia që ju po derdhni këto ditë në shtyp, në gazeta, në artikuj, në faqen internet Respublica, ka pashmangshmërisht një emër: data 23 qershor dhe një karrige: atë të Kryeministrit të vendit. Ndërsa shkrimi im është akohor, i pakohë, çka do të thotë, ama, jo më pak konkret se i juaji.

Ju punoni për 23 qershorin, ndërsa atë ditë unë do të jap kontributin tim vetëm me një votë të fshehtë në fshatin tim të lindjes. Shqetësimi im është më gjithëpërfshirës nga pikëpamja kohore dhe i personave. Unë nuk shqetësohem të punoj kundër një partie a lideri, por pro-njeriut shqiptar e shoqërisë shqiptare. Unë nuk dua të angazhohem për të sjellë dikë në pushtet e as për të rrëzuar dikë tjetër, unë dua që në Shqipëri të ekzistojë një front opozitar moral kundër së keqes që nuk sjell në pushtet askënd e nuk rrëzon askënd, por kthehet në një mur moral kundër së keqes e çfarëdo ngjyrimi qoftë me mekanizma të shoqërisë civile, që në disa mënyra në këto kohë i kanë formuluar disa persona ndërmjet të cilëve dua të përmend analistin Fatos Lubonja (Gazeta Panorama e Mërkure 17 prill 2013).

Unë nuk jam për zgjidhje të treta, të reja sikurse thoni ju, duke iu referuar pjesës së fundit të shkrimit tim. Nuk jam për gjëra të reja, por për të bërë të reja gjërat që janë, për një ripërtëritje afatgjatë. Unë shpresoj, sikurse thotë edhe Elsa Ballauri, “se një ditë do të ndodhë kjo mrekulli: që shoqëria civile ta ndryshojë historinë pa rënë në humnerë”. Kjo mrekulli gjithsesi nuk mund të ndodhë Deus ex machina. Shoqëria civile nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk është e shoqëruar gjithsesi me ata burra dhe gra të rreshtuar në partitë e tyre, lëvizjet e tyre, të zgjedhur nga vota e popullit, që në momente udhëkryqesh morale marrin vendime duke iu bindur Zotit apo institucionit të ndërgjegjes së tyre më shumë sesa një lideri apo partie, pasi në vendimmarrje kanë të bëjnë me të tretë, me popullin, e do të kërkohet llogari më shumë për të tretët sesa për veten. Në mos e kërkoftë Zoti, do ta kërkojnë vetë të tretët.

Mapo