Dhjetë predha mbi dëshmitarët e tmerrit

0
99

TemA, 22 Shkurt 2012

Sulmi ishte preciz. Dhjetë predha goditën shtëpinë ku prej disa ditësh po qëndronin disa gazetarë të huaj. Godina është në lagjen Baba Amr, në qytetin rebel të Homsit në Siri. Ajo shërbente edhe si një qendër mjekësore. Pasi predha e parë goditi shtëpinë, gazetarët tentuan të largohen. Por kur goditi predha e dytë, Marie Colvin, reportere me eksperiencë nga fushë-beteja dhe Remi Ochlik, një fotograf i ri në moshë, por me eksperiencë, vdiqën në vend. Tre kolegë të tyre u plagosën rëndë. Prej kohësh rebelët druheshin se regjimi përdorte mjete moderne për të gjurmuar kundërshtarët. Flitej se lokalizoheshin përmes celularëve. Pas këtij sulmi, frika e tyre u vërtetua, shkruan Spiegel.

Trupat e dy gazetarëve qëndruan për disa kohë nën rrënoja. Askush nuk afrohej dot tek shtëpia. Meqë Siria nuk lejon gazetarët e huaj në vend, Colvin ishte bërë një zë i fortë për të dëshmuar tmerret e luftës. Raportonte për rrjetet më të mëdha në botë. “Vetëm një i sëmurë e bën diçka të tillë,” tha ajo për BBC duke iu referuar bombardimeve të qeverisë mbi civilët.

Gazetarja e famshme për maskën e saj në sy, të cilin e pati dëmtuar gjatë konfliktit në Sri Lanka, kishte raportuar shumë herë edhe nga Shqipëria, në periudhën kur ishte ndezur lufta në Kosovë. Kishte përdorur disa trafikantë për të hyrë në Siri e për të dëshmuar tmerret e luftës të një regjimi të frikshëm. Së bashku me fotoreporterin 28 vjeçar kishin ofruar dhjetëra dëshmi. Së fundmi Ochlik fitoi një çmim për foton më të mirë gazetareske, realizuar në Libi. U prefshi në paqe!