TemA
Drejtoria e Doganave njofton se ka përfunduar kontrollin mbi kompaninë Kurum Internacional, kaq shumë të përfolur këtë javë, dhe rezulton se ajo i detyrohet shtetit rreth 3 milion dollarë.
Në një njoftim për shtyp nga zëdhënësja e Doganës, thuhet se “dega e Doganës Elbasan, me datë 10.10.2013, për shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit të magazinës doganore të kompanisë “Kurum Internacional” ka marrë vendimet nr.138, 139 dhe 140, ku penalizon për kundërvajtje administrative këtë kompani me 72.244.585 lek detyrim doganor të munguar si dhe 216.733.755 lek penalitete. Në total 288.978.340 lek”.
“Dega e Doganës Elbasan ka vjelë tashmë shumën e detyrimit doganor të munguar.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po vazhdon me rigorozitet procedurat për vjeljen e penaliteteve.
Administrata Doganore shpreh vendosmërinë e saj për ndëshkimin e çdo shkelje të legjislacionit doganor,” vijon njoftimi.
Çështja e Kurum u bë e nxehte pasi Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave shkarkoi shefin e antikontrabandës, Denion Meidani për nxjerrje sekreti në këtë operacion.
Debati vazhdoi më pas në shtyp, ku i shkarkuari u mbrojt duke thënë se Spiropali ka dashur të favorizojë Kurum-in.
Njoftimi i mësipërm i jep fund debatit mbi qëndrimin e Doganave ndaj kësaj kompanie.