Koloneli në rezervë, përballë shtetit dhe shoqërisë

0
75

Mero Baze

Nga Mero Baze

Ka së paku dy javë që opinioni publik shqiptar është përfshirë në një debat të dobishëm rreth mënyrës se si qeveria shqiptare ka firmosur një marrëveshje dypalëshe me Greqinë për t’i dhuruar asaj rreth 300 kilometra sipërfaqe ujore dhe duke përjashtuar Shqipërinë nga përfitimet që mund të kishte nga kontrolli mbi këto territore. Një kolonel në rezervë, Myslym Pashaj, në të vërtetë është njeriu që e ka vënë në lëvizje opinionin publik. Nuk është as paranojak, as drejtues i ndonjë projekti që pret përfitime. Është një specialist i hartografisë, i cili, edhe pse është shkolluar në periudhën sovjetike të Shqipërisë, njeh mirë hartat dixhitale dhe jep mësim në Universitetin e Shkencave mbi hartografinë satelitore. Pra është një njeri me pasione për profesionin e tij, por dhe për shoqërinë dhe atdheun ku jeton.

Nuk dua t’i hyj debatit sa të drejtë ka koloneli dhe sa të drejtë zyrtarët anonimë të qeverisë, pasi në këtë debat jam i njëanshëm, pasi jam me kolonelin për një arsye të vetme: Grupi ynë negociator, që përbëhet nga njerëz thuajse të painteresuar për ta marrë këtë negociatë si problem kombëtar, por thjesht si orar zyrtar pune, nuk di të më thotë në asnjë rast, nëse në 7, 8, apo 10 çështje të diskutueshme që kishin këto negociata, në një prej këtyre çështjeve të jetë konsideruar mendimi i palës shqiptare. Kjo statistikë nuk ekziston. Pra, nuk kemi asnjë nuancë negociatash, por thjesht takime zyrtarësh shqiptarë nga ajo raca korrekte për dietat dhe udhëtimet dhe pa asnjë emocion përtej tetorëshit zyrtar. Ajo që mund të diskutohet është nëse ky grup negociator është sjellë si i paaftë me porosi të qeverisë apo thjesht ka dashur të mos i hapë asnjë problem vetes për të vrarë mendjen qoftë dhe një ditë. Këtë le ta sqarojë debati publik.

Problemi që unë dua të ngre është diferenca mes një qytetari të vetangazhuar, si koloneli në rezervë, Myslym Pashaj në një anë dhe shoqërisë civile shqiptare e zyrtarëve të shtetit në anën tjetër. E ashtuquajtura shoqëri civile, që merr fonde për çdo projekt dhe që gati është kthyer në një kastë biznesmenësh, nuk ka mundur kurrë në këto 20 vite të provokojë me punën e saj apo me aksionin e saj qoftë dhe një debat njëditor në Shqipëri. Një njeri i vetëm, pa asnjë mbështetje, madje kam frikë se dhe nën presion, po fut shoqërinë shqiptare në një betejë që nesër do hyjë në analet e historisë (nëse nuk e shkruajnë këta që e shkruajnë tani historinë), si një turp i qeverisë aktuale dhe administratës që ka firmosur këto negociata.

Diferenca mes kolonelit në rezervë, Myslym Pashaj, dhe shoqërisë civile shqiptare është një hendek i thellë, dhe prova e gjallë që kemi se sa pak vlen një punë që bëhet vetëm për projekte dhe pará.

Por, nga ana tjetër, ka dhe një diferencë mes kolonelit në rezervë, Myslym Pashaj, dhe kolonelëve në detyrë që i kanë firmosur këtë negociata. Siç thashë, unë nuk mund të jem arbitër mes tyre kush ka më shumë të drejtë, por zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kristaq Gërvenji, që ka firmosur këtë pakt si pjesë e grupit negociator, do ta ketë shumë të vështirë t’ua shpjegojë fëmijëve të tij se si ai ishte i drejtë në vendimin me partnerët grekë, pasi arriti të zmbrapsë qoftë dhe një pretendim të tyre. Jo, ai dhe çupëlinat dhe djelmurinat që kanë qenë në atë grup, janë sjellë rëndom siç sillen me punët e shtetit dhe nuk e kanë parë asnjë moment si një çështje që mund të ngrejë dallgë në shoqërinë shqiptare. Kufijtë janë një emocion i fortë, një emocion që ka ndarë njerëzimin që kur është krijuar.

Nëpunësit tanë, që kanë firmosur këtë marrëveshje, janë sjellë me kufijtë tanë si me axhendën e një seminari të mërzitshëm, ku mezi kanë pritur të mbarojë e ta firmosin dhe pastaj të dalin nëpër Athinë të bëjnë shopping. Diferenca mes tyre dhe kolonelit në rezervë, Myslym Pashaj, është në vetvete dhe diferenca mes njerëzve që kërkon shoqëria shqiptare dhe njerëzve që punëson pushteti. Ky pushtet lë rrugëve atë që punon për Shqipërinë dhe bën histori në këtë vend, dhe mban në zyrë ata që s’kanë asnjë emocion dhe kur firmosin faljen e së paku 300 kilometrave det për një shtet fqinj. Mirë që s’patën drojë dhe nuk iu drodh dora kur firmosën, po së paku tani nuk u lejohet të jenë kaq të qetë dhe të sigurt sikur s’kanë bërë asnjë krim. Si Lulzim Basha!