Nga Mero Baze, 5 Qershor 2012
Partia Demokratike po përpiqet të përdorë procesin e zgjedhjes së presidentit si një mënyrë për të shmangur shfaqjen në sipërfaqe të ndarjes që ekziston brenda partisë në pushtet, mes ambicieve të zonjës Topalli dhe zotit Basha për të dominuar në qendrat e pushtetit. Emri i Xhezair Zaganjorit në të vërtetë është përzgjedhur më shumë si një emër që ruan statukuon e grupeve brenda PD-së, se sa një emër që mund të marrë mbështetje më të gjerë.
Njeriu që ishte në pozitë më të vështirë para këtij procesi, kur u përfol se Topalli do të ishte kandidate për presidente, ishte Lulëzim Basha. Shkuarja e Topallit në presidencë dhe ndikimi i saj mbi sistemin e drejtësisë, do ta bënte njeriun me dosje të hapura të mos ngrinte më kurrë kokën në politikë. Ishte kjo arsyeja që ai përfshiu në një lëvizje shantazhuese PD-në duke përdorur Ilir Metën, i cili vuri kusht që Jozefina Topalli të mos ishte kandidate për presidente, ndryshe ai do t’i bashkohej opozitës. Këtij shantazhi ndaj PD-së i shërbeu dhe takimi i tij me Edi Ramën.
Pas kësaj Lulëzim Basha arriti të fusë në panik PD dhe grupin e mbështetësve të Topallit dhe ia doli që të bindë Berishën për një kandidaturë “as mish, as peshk” që të bashkonte dhe Topallin, dhe Bashën. Zaganjori ishte zgjedhje e duhur. Mik i afërt i dy biznesmenëve shkodranë, që i ka asistuar për vite të tëra në procese gjyqësore, të afërt me Topallin, Berishën dhe Metën, Zaganjori ishte një figurë ideale për të mos trembur askënd. Lulëzim Basha ia arriti me këtë rast qëllimit të frenojë avancimin e Topallit drejt Presidencës dhe ta kthejë në aset politik aleancën e tij me Ilir Metën si qendër pushteti brenda koalicionit.
Kundër Topallit në fakt Basha arriti të angazhojë dhe diplomatë dhe shumë medie të afërta me pushtetin. Edhe pse nuk kanë asnjë argument të besueshëm pse Berisha qenka i mirë e Topalli e keqe, pse Berisha legjitim e ajo ilegjitime, pse Berisha properëndimor dhe ajo antiperëndimore, ajo në të vërtetë u kryqëzua fort duke kaluar deri në spekulim.
Berisha, i cili tentoi t’i dilte zot në fillim të debatit, u tërhoq në heshtje nën shantazhin e grupit Meta- Basha, të cilët i ndihmoi dhe kori i zërave nga Partia Socialiste që duartrokisnin shantazhin e Metës kundër Berishës.
Tani perspektiva e zonjës Topalli në PD është në rënie, nëse Zaganjori ia del që përmes kësaj skeme të shkojë në raundin e katërt në Presidencë. Grupi Basha- Meta, që organizoi shantazhin kundër PD-së për të shmangur atë nga gara, do të marrin kontrollin mbi institucionet e drejtësisë, sidomos mbi Prokurorinë e Përgjithshëm dhe disa gjykatës kyç, dhe do të jenë të paprekshëm nga drejtësia edhe pse letrat e tyre janë haptazi të lexueshme për tu çuar në qeli. Ndikimi i Bashës në PD si qendër pushteti në Bashki do të vijë në rritje dhe në rast humbje të zgjedhjeve prej PD-së Topalli do ta ketë shumë më të vështirë për të qenë një qendër pushteti në opozitë.
Praktikisht e ardhmja politike e saj vendoset këto tri ditë. Nëse ajo nuk ia del t’i imponohet PD-së ashtu si Basha iu imponua përmes Metës, atëherë ajo do të prekë në seancën e katërt fundin e ëndrrës së saj për karrierë politike. Edhe pse pesë vite më parë, kur Topi u zgjodh president, ajo ia ka kërkuar zyrtarisht Berishës që më 2012 do të jetë ajo kandidate, ajo është duke e humbur këtë shans nga një aleancë e re mes kundërshtarëve të saj dhe LSI brenda PD-së, të cilës ju gjunjëzua dhe Berisha.
E vetmja mënyrë që Berisha të jetë në krahun e zonjës Topalli në këto momente nuk është të bëjë atë presidente, por të bëjë një marrëveshje surprizë me Ramën për një emër të ri jashtë skemës së shantazhit Basha– Meta. Kjo ka pak gjasa të ndodhë, edhe pse Rama thotë se takimi i parë ka krijuar një klimë besimi për ta provuar deri në fund shansin e një presidenti konsensual mes tij dhe Berishës. Kjo zgjidhje e linte të hapur rivalitetin brenda PD-së dhe po ashtu në dritë të diellit përdorimin që Ilir Meta i bëri opozitës në këtë rast. Por nuk jemi të sigurt sa i dëshpëruar është Berisha nga vyshkja e perspektivës së Topallit në PD. Ndoshta në Familjen e tij po festojnë për këtë gjë.