Premçi pas përjashtimit: Vetëm 10 përqind e kromit që nxirret, deklarohet

0
90

TemA Online, 30 Prill 2012

Shemsi Premçi, i larguar tashmë nga radhët e policisë ka akuzuar akoma më ashpër, pas deklaratës së policisë për përjashtimin e tij. Ai tha se arsyet e vërteta janë denoncimi i korrupsionit dhe shpellave të krimit. Prençi u shpreh se vetëm 10 përqind e kromit që nxirret, deklarohet.

“Se ata kanë motivuar shkarkimin tim për thyerje të disiplinës dhe për shkelje të rënda të ligjit. Do t’ju them zotërinj ish-eprorë të mi, planin e masave për goditjen e krimit që unë kisha miratuar e miratuat edhe ju dhe mbështetët me urdhra për shtatë ditë rresht, pjesën që unë kam hetuar për 2 muaj e gjysmë e kam deklaruar se në Bulqizë deklarohet vetëm 10 për qind e prodhimit të kromit që shkon dhe shitet, sepse nuk mund të deklarojnë prodhim kompanitë mafioze. Unë po them që në këtë godinë dhe në godinën e Ministrisë së Brendshme ka një barrikadë të luftës kundër krimit dhe kjo është më e tmerrshmja”, tha Prençi.

Ish-drejtori i Policisë së Dibrës u shpreh se ministri i Brendshëm, Nishani, zotëronte raportin e lëvizjeve të shtetasve kosovare me viza të falsifikuara që para dy vitesh, por mori masa vetëm dy javë më parë pas shqetësimeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve. /TCH