TemA, 8 Mars 2012
Ish i përndjekuri politik, Gjergj Ndreca, dhe grupi i njerëzve që mbështesin atë, kishin zënë “pritë” sot qysh para orës dhjetë tek Selia e të Përndjekurve Politik, në pritje te fillimit të seancës së parlamentit.
Të mërzitur që deputet nuk po shfaqeshin, Ndreca së bashku me Bejkon, filluan të pyesin se çfarë po ndodhte. Ishte momenti kur u njoftuan se seanca u anulua. Grupi i dhunës, i cili në këtë javë kishte në shënjestër ministrin Pollo dhe ministrin Halimi ka vendosur gjithashtu që në listë të hyjë dhe zonja Topalli, por për atë do të gjejnë një grua ta qëllojë se si burra zakoni nuk vënë dorë mbi gratë.
Pas shtyrjes së seancës Ndreca bëri këtë deklaratë: “Ulni armët (çadrat) vëllezër. Tani të shpërndahemi se deputetëve nuk ua mbajti të vijnë sot dhe të masin fuqinë e tyre me ne. Megjithatë i ftojmë për grusht të enjten tjetër. I kapi paniku ministrat dhe anuluan seancën. Këta burra kuvendi u fshehën pas festës së grave”.
Një tjetër ish-i burgosur politik, Perikli Shqevi, vijoi batutën e Ndrecës, duke ironizuar: “Pas festës së grave apo pas fustanit të grave”. E njëjta fjali “pasohej” sa te njëri, te tjetri, derisa u kthye sërish në gojën e Ndrecës. “Mos i ngacmoni gratë e ministrave se ato tashmë janë tifozet tona më të mira. Kushedi sa herë ua kanë borxh dhe atyre në shtëpi që t’u japin ndonjë grusht burrave të tyre dhe nuk kanë mundur dot. Po marrim hak dhe për gratë e ministrave”, u shpreh ai.




