Rama: Nëse ajo që bëri Berisha ishte e ligjshme, pse po zhduk provat. Asgjë nuk justifikon vrasjet

0
41

TemA, 7 Shkurt 2012

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në emisionin ‘Pesë pyetje nga Babaramo”, tha se protestuesit më 21 janar dolën aty jo të detyruar, por me vullnetin e tyre. Rama tha se janë shpifje deklaratat se ka pasur një skemë për dhunë. “Njerëzit në atë demonstratë kanë dalë me vullnetin e tyre. Të gjitha ato që janë thënë se ka pasur një skemë për të ushtruar dhunë, apo grupe të paguara, janë shpifje. Aty janë derdhur lumë qytetarët e këtij vendi që nuk pranojnë të ulin kokën dhe të bashkëjetojnë me një qeveri që nuk e meriton të qeverisë shqiptarët,” tha Rama.

Kryetari i PS ka shprehur falënderim për mbështetjen që i ka dhënë ambasadori amerikan këtij hetimi dhe ka theksuar sërish se urdhrin për vrasjet nuk mund ta jepte askush përveç ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit. Rama tha se nuk ka asnjë argument që justifikon vrasjet e 21 janarit. “Më lejoni të them se janë vrarë katër njerëz dhe është shkelur në mënyrë barbare Kushtetuta e Shqipërisë. Ato janë dënime me vdekje të ekzekutuar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ndaj të mos harrojmë se nëse kjo që ka ndodhur do ishte e ligjshme dhe në funksion të rendit, kryeministri nuk do kishte nevojë të fshihte provat duke fshirë serverin e kryeministrisë, komandanti i Gardës nuk do kishte nevojë të ndërronte tytën e armës së tij,” tha Rama.

Kryetari i PS tha se deputetët e PS kanë rrezikuar jetën duke realizuar tërheqjen e protestuesve. “Tërheqja është realizuar duke qenë aty një numër i madh deputetësh të PS. Ata kanë rrezikuar jetën e tyre për të tërhequr njerëzit. Nuk ka asgjë në botë që justifikon këto vrasje. Nuk ka asnjë argument teknik, organizativ, ligjor, politik e kushtetues që justifikon këto vrasje dhe që heq përgjegjësinë direkte të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për vrasjet,” tha Rama.

Kreu i PS ka deklaruar se drejtësia në vendin tonë blihet, ndërsa ka shtuar se ata kanë ofruar një pakt kombëtar për drejtësinë.