Basha ‘raporton’ te Arvizu për vizitën në SHBA, bashkë në kafe tek ish-Blloku

0
62

TemA, 7 Shkurt 2012

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është shfaqur në një kafe në zonën e ish- Bllokut në Tiranë me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Takimi i tyre vjen pas një vizite të gjatë të Bashës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përpara vizitës Arvizu e takoi Bashën, ndërkohë që gjatë një interviste televizive u shpreh se pret rikthimin e tij për të biseduar për takimet që ka patur në Uashington. Basha zhvilloi takime informale me një zyrtar të rëndësishëm amerikan dhe dy kongresmenë, çka rriti dyshimet për arsyet e vërteta të vizitës së tij. Ndërkohë vetë Arvizu tha se Basha është një yll në ngjitje dhe politikanët e vjetër duhet t’ua hapin rrugën të rinjve.

“Mendoj që disa njerëz e shohin si yll në ngjitje në qiellin politik shqiptar. Më vjen mirë për të. Pres me kënaqësi të flas me të kur të kthehet e të dëgjoj direkt prej tij disa nga përshtypjet nga vizita në Shtetet e Bashkuara. Nuk e di sa vjeç është saktësisht, por më duket është në pjesën e dytë të tridhjetë-vjeçarit. Me gjithë respektin për politikanët e Shqipërisë që janë në të 50-at e tyre, apo edhe në të 60-at e tyre, është vërtet me rëndësi që të ketë gjak të ri. Duhet të ketë një lloj… freskie (fresh),” pati deklaruar Arvizu.