Të gjithë udhëheqësit të shqetësuar; vetëm ky i yni, jo

0
73

TemA Online, 1 Janar 2012

Të gjithë udhëheqësit europianë dhanë mesazhe me rastin e vitit të ri, dhe shumica e këtyre mesazheve bashkoheshin tek frika prej përkeqësimit të gjendjes dhe tek ideja se viti 2012 do të jetë një vit edhe më i vështirë se ky që sapo lamë pas.

Angela Merkel e përforcoi këtë pohim të vetin dhe me shprehjen ndajfoljore “pa asnjë pikë dyshimi”. Mesazhi i kryeministrit grek Lucas Papademos ishte një listë sakrificash që do vijnë si pasojë e masave dhe reformave që do vijojnë të bëhen prej qeverisë. Në të njëjtën linjë eci dhe Presidenti italian, i cili kërkoi mirëkuptim për sakrificat, pasi ndryshe nuk mund të evitohet kolapsi financiar.

Sarkozy u tha francezëve se “kriza që prej dy vitesh ua ka bërë jetën të vështirë familjeve franceze nuk është mbyllur ende”. Por Sarkozy, në ndryshim nga të tjerët, u shpreh optimist për 2012-n (“ka arsye për të qenë optimist”, tha ai), por ky optimizëm është elektoral, e jo racional; sondazhet i japin pak pikë, dhe një fjalim i dëshpëruar me rastin e Vitit të Ri do ta ulte ca më shumë mbështetjen në favor të tij.

I vetmi udhëheqës optimist i Europës është ky bandilli ynë, i cili tha “se ekonomia shqiptare është një nga dy ekonomitë më solide të Europës (tjetra është Gjermania), dhe se Shqipëria ka ndryshuar “do të ndryshojë edhe më shpejt” në vitin 2012.

respublica.al