Nga Hamza Karçiç, 15 Dhjetor 2011
Autori është lektor i shkencave politike në Universitetin e Sarajevës. Shkrimi është botuar në gazetën turke Zaman
“Shqipëria e Madhe” fillimisht është përcaktimi për bashkimin e vendeve të banuara nga popullsi shqiptare në Kosovë, Maqedoni e më pak në Mal të Zi. Kjo ka qenë ëndrra e disa nacionalistëve shqiptarë.
Nocioni është përdorur si arsyetim nga regjimi i Beogradit për të shtypur pakënaqësitë e shqiptarëve në vitin 1980 në ish-Jugosllavi dhe për represion në Kosovë gjatë viteve ’90. Me deklarimin e pavarësisë në shkurt 2008, Kosova u bë shteti i dytë shqiptar. Influenca politike shqiptare në Maqedoni është përmirësuar si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, që i dha fund një lufte të shkurtër. Vazhdimi i shqetësimit se “Shqipëria e Madhe” është qëllimi përfundimtar, nuk duhet të diskutohet. “Shqipëria e Madhe” nuk është në interesin e shqiptarëve.
Procesi i integrimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe NATO e ndryshon krejt llogarinë. Anëtarësimi i mundshëm në BE i të tre shteteve përkthehet në dy vota e gjysëm nga shqiptarët dhe veto potenciale në strukturat kyçe vendimmarrëse (gjysma e votës influencohet nga shqiptarët në Maqedoni).
Skenari hipotetik i Shqipërisë së Madhe, në të kundërt, do përkthehej në një votë të vetme. Duke marrë në konsideratë se do ketë solidaritet politik mes liderëve shqiptarë në tre shtetet, më shumë votë do sjellë edhe më shumë peshë e leva manovrimi për shqiptarët. Bazuar në mekanizmin aktual të përfaqësimit të qeverive në Bashkimin Europian, përllogaritja bëhet e rëndësishme sidomos kur aplikohet për Këshillin Europian.
Në rastin e Këshillit Europian, të paktë dy komisionerë do jenë nga secili shtet shqiptar, me mundësinë për një të tretë. Votimi në Këshillin e Bashkimit Europian anon në favor të shteteve me popullsi të vogël, duke garantuar një avantazh shtesë. Ngjashëm, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, anëtarësimi i ardhshëm i Maqedonisë dhe Kosovës do amplifikojë zërin e përfaqësuesve politikë të popullsisë shqiptare në tre shtetet gjatë procesit të vendimmarrjes në Këshillin e Atlantikut të Veriut. E njëjta logjikë vepron edhe për një numër institucionesh ndërkombëtare.
Ky nuk do jetë precedent megjithatë. Me anëtarësimin e Qipros në BE në vitin 2004, u dyfishua vota e grekëve në Këshillin dhe Komisionin Europian. Megjithatë ky rast është i ndryshëm sa i përket ndikimit të anëtarësimit të Turqisë në BE.
Ironia e debatit në lidhje me “Shqipërinë e Madhe” është se neglizhon një faktor kyç: interesat e ripërcaktuara të shqiptarëve. Këto përllogaritje të reja tregojnë se përse frika për një “Shqipëri të Madhe” është e pajustifikuar.