SHENIM/ Një debat për potencialin

0
61

TemA, 9 Nëntor 2011

Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona MekUiliam, gjatë një interviste për gazetën Shqip, ka deklaruar se Shqipëria është e pasur në burime e talente, por nuk e shfrytëzon potencialin e saj. Para pak ditësh ishte ambasadori danez që theksoi se Shqipëria mund të ishte në ballë të BE nëse do shfrytëzonte siç duhet burimet që i ka dhënë Zoti. Një sërë intervistash të realizuara nga Zëri i Amerikës me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë e SHBA, ku spikaste intervista e Bob Hand, theksonin pikërisht çështjen e potencialit të Shqipërisë.

Madje, edhe në dy raportet e fundit të OSBE/ODIHR, thuhet se Shqipëria nuk realizoi potencialin e saj për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Duket se për ndërkombëtarët, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, debati është tek fakti se vendi ka potencialin për të qenë shumë përpara, por diçka e ka penguar. Është e qartë se është politika, në krye të së cilës për këto 20 vite qëndron Sali Berisha. Është e papranueshme për diplomatët që pas 20 vitesh, siç thoshte ambasadori holandez, vijon te ketë sërish tranzicion. Ndaj debati për potencialin duhet të jetë në qendër të çdo diskutimi tani e tutje.

Nuk i duhet lënë mundësi këtij kryeministri që e ka marrë zvarrë Shqipërinë për 20 vite, të thotë se tani hamë më mirë se në komunizëm, se bëjmë zgjedhje pak më të mira se të parat etj. I duhen thënë këto gjëra që diplomatët po i thonë tani më shumë se kurrë. Se vendi ka potencial të mbajë zgjedhje, por ato i grabit ai. Se vendi ka kaluar vërtet një të kaluar të hidhur, por kështu ka ndodhur edhe me shumë vende të tjera, që na kanë parakaluar me kohë. Se vendi ka burimet e klimën e mrekullueshme, por ato po shkatërrohen e keqmenaxhohen nga ai. Nuk është koha për të bërë krahasime me të shkuarën, siç thotë Bob Hand, por për të matur atë që mund të kishim arritur, e që nuk e kemi kapur dot.