ResPublica.al, 7 nëntor 2011
Romani i ri i Ben Blushit, ‘Shqipëria’, i sapohedhur në treg nga ‘MAPO Editions’ është ende prurje e re për t’u konsideruar si një libër që ka mbërritur te lexuesi. Megjithatë gazetat, me sa duket pa e lexuar ende librin, janë munduar të hedhin doza provokimi në publik. Kështu ‘Panorama’ e sotme e jepte këtë ‘provokim’ që në titull kur shkruante: Romani Shqipëria-Provokimi i Blushit: Zoti i krijoi prindërit e tij dhe pastaj i vrau. Një ditë më parë e përditshmja tjetër ‘MAPO’ ia mveshte një pasazhi me Jezu Krishtin “provokimin” e saj. Nga kleri apo komuniteti katolik nuk ka ende asnjë reagim. Megjithatë pyetja është: a ka një përpjekje të Blushit që t’i shesë librat e tij, jo nëpërmjet letërsisë, por provokimeve? E ka bërë këtë në romanin e parë ‘Të jetosh në ishull’, teksti i të cilit prodhoi një spazmë mediatike që e ndali vrapin te një libër tjetër ku përmblidheshin debatet mbi të. Pyetja tjetër: a do t’i përgjigjet kisha katolike lokale përpjekjes së Blushit për një variant shqiptar të Dan Broën-it?
H.B.




