Stringa: Shqipëria drejt “fatit” të Greqisë

0
66

Gazeta Idea, 31 Tetor 2011

Tiranë- Dekani i fakultetit të Ekonomisë, Omer Stringa u shpreh për nivelin e borxhit publik se niveli prej 60% i tij munda ta çojë vendin drejt falimentimit. Sipas Stringës një vend me një buxhet të vogël, dhe me një borxh që shkon në 60% të PBB-së e kthen vendin në një ndërrmarje me humbje financiare.

“Një borxh me përmasa të tilla mund ta dërgojë Shqipërinë drejt fatit të Greqisë, ku borxhdhënësit vijnë të të konfiskojnë”- thotë ai.

“Në rast se kostoja e borxhit publik është më e lartë se sa rritja ekonomike, atëherë vendi punon me humbje. Shqipëria paguan mesatarisht 6 për qind interes për çdo lek të marrë borxh, e barabartë kjo me rreth 3.6 për qind të PBB-së. Kjo do të thotë se një rritje ekonomike e këtyre përmasave, nuk shkon dot në xhepat e qytetarëve për të rritur mirëqenien, sepse duhet të përdoret për të paguar interesat e borxhit”- shpjegon Stringa.

Nga analizat e tija ai shpjegon se në vitin 2007, vendi ynë paguante më pak se 5 për qind interes mesatar për borxhin publik. Dhe po në këtë vit shpenzonte 2.6 për qind të PBB-së. Ndërsa në vitin 2011, interesi mesatar është rritur në 6.1 për qind, ndërsa kostoja totale është 3.6 për qind e PBB-së.

“Nuk është e mundur që të fitohen interesa më të ulëta për sa kohë nuk reduktohet borxhi”, – thotë dekani Stringa.

Ai thekson faktin se duhet pasur kujdes në menaxhimin e borxhit public, pasi mund të përfundojmë si Greqia, drejt falimentimit. “Ndërsa qeveria paguan 6-7 për qind për borxhin e vet të emetuar në lekë, paguan plot 7.5 për qind për bondet e emetuara në euro, të cilat teorikisht duhej të ishin më të lira se sa borxhi në lekë, pasi kanë edhe rrezik më të ulët inflacioni. Por në treg, kredidhënësit duket se kanë parime të tjera. Interesi i kërkuar prej tyre rritet aq sa qeveria është e gatshme të paguajë. Kur qeveria ka nevojë për financim, interesi rritet, pavarësisht nëse borxhi është i rrezikshëm apo jo”- përfundon shpjegimin Omer Stringa.