Luks Qeveritar në Shqipërinë pa shkolla e spitale publike

0
20

Nga Emirjon Senja

Ky nuk është rasti i parë ku shpenzohen shuma të mëdha për krijimin e kushteve luksoze për qeveritarët. Shuma 460 mijë euro është e pakrahasueshme me kontratën 5.5 milionë euro për blerjen e një helikopteri VIP në shërbim të Kryeministrit.

Pak muaj më parë, u krye edhe blerja e një makine të blinduar me vlerë 70 milionë lekë. Të gjithë këto shpenzime i shërbejnë një grupi të kufizuar individësh, të cilët fillojnë nga Presidenti i Republikës e deri tek pjesëtarët e ndonjë delegacioni të huaj, në kushtet kur infrastruktura e vendit është përtokë.

Mjaftojnë shumë pak para (krahasuar me shumat e mësipërme) që urgjencat dhe pavijonet e spitaleve të furnizohen normalisht me ilaçe, serume apo mjete të tjera të nevojshme, që të kompletohet një shkollë apo të sigurohet ngrohje për një çerdhe, që diku të ngrihet një qendër e re shëndetësore. Sigurisht që një helikopter për fikjen e zjarreve në verë, për të mos kërkuar më ndihmën e fqinjëve, nuk kushton sa ai “VIP”.

Për ironi të fatit, i gjithë ky shpenzim për luks tek Vilat qeveritare bëhet pikërisht në Vlorë, ku pak javë më parë një gjyqtari nuk iu dha ndihma e parë me shërbim ambulance për shkak se e vetmja që ishte në atë qytet ndodhej për një tjetër urgjencë diku tjetër. Gjyqtari më pas u transportua me furgon policie.

Gjithçka varet se si bëhen llogaritë kur ndahen fondet. Nëse paratë do të shpenzohen në shërbim të qytetarëve apo për rehatinë e zyrtarëve.