Gazetari kroat shkruan libër: Gjingjiç u vra nga mafia shqiptare

0
50

ResPublica, 7 tetor 2011

Mafia shqiptare, përkatësisht familja Osmani, në bashkëpunim edhe me Kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, janë përgjegjës për vrasjen e Presidentit serb, Zoran Gjingjiç. Kjo, ndër të tjera, është teza e gazetarit kroat Domagoj Margetiç i cili do të botojë gjatë këtij muaji librin “Rasti Pukaniç: Vrasja me nënshkrimin e shtetit”. Pukaniç ishte botuesi i së përjavëshmes kroate ‘Nacional’ vrarë në Zagreb, rastin e të cilit Margetiç e lidh me atë të ish-Presidentit serb të vrarë në Beograd.

Sipas gazetarit kroat, shkruan e përditëshmja kosovare ‘Express’, mbas vrasjes së Pukaniç e Gjingjiç qëndron “karteli më i madh mafioz në Ballkan, nën kontrollin e familjes shqiptare Osmani”. Sa i takon vrasjes së Gjingjiçit, teza e Margetiçit e sheh krimin të lidhur me planet e mafias dhe politikanëve shqiptarë për të bërë Kosovën e pavarur.

“Politikanët shqiptarë me në krye Hashim Thaçin dhe përfaqësuesit e familjes Osmani, kanë mbajtur një takim sekret në të cilin janë pajtuar për operacionin ‘Duresh’, që është strategjia e ardhshme që mafia shqiptare ta arrijë pavarësinë e Kosovës dhe ta marrë kontrollin e plotë në Ballkan”, shkruan Margetiç.

Domagoj Margetiç shprehet se teza e tij bazohet në dokumente të shërbimeve sekrete të Kroacisë, shkruan ‘Express’ që i referohet kroates ‘Vesti’. “Dokumentet që m’i kanë dhënë zyrtarët e lartë të shërbimeve sekrete kroate, tregojnë se vrasjet e Gjingjiç dhe Pukaniç janë dy raste të lidhura. Që të dy këto janë viktima të biznesit kriminal që peshon me miliarda euro”, pretendon Margetiç.

H.B.