Të rinjtë e Kuvendit Civil: Nuk do lejojmë importin e plehrave

0
80

TemA

Të rinjtë e Kuvendit Civil, përmes një deklarate bënë me dije se do të kundërshtojnë importin e plehrave për në Shqipëri. Ata hodhën dyshime për mënyrën se si u votua ligji.

“Ndodhi ajo që pritej, por nuk duhet të ndodhte. Në ditët kur ekspertët japin alarmin se po rriten sëmundjet e tumoreve apo kancerit për shkak të ndotjeve dhe mbeturinave, parlamenti shqiptar voton një ligj të kundraligjshëm dhe antikombëtar, duke i vrarë të gjithë qytetarët shqiptarë.

Denoncojmë mënyrën se si kryeparlamentarja Jozefina Topalli drejtoi këtë seancë për kalimin e ligjit të “mbetjeve urbane”, se si numëroi votat në sallë dhe makinacionin me kuorumin. Denoncojmë dhe sjelljen e opozitës që nuk diti t’i përgjigjej interesit të qytetarëve, megjithëse i njeh mirë rregullat e kuorumit dhe shumicës së thjeshtë. Por gjithashtu i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, aktivistëve, organizatave vendase dhe të huaja, ambasadave dhe trupit diplomatik dhe të gjithë politikanëve të ndershëm për aq sa mund të jenë, të kundërvihemi ndaj ligjit mafioz,” thuhet në deklaratën e Kuvendit Civil.

Të rinjtë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protesta kundër importit, pasi Shqipëria rrezikon për 5 vjet të mbushet me plehra.

“Të mos lejojmë importimin e plehrave në Shqipëri për asnjë çast dhe kurrë. Sepse me riciklimin gjoja të monitoruar të pretenduar nga qeveria mediokre dhe e paaftë, vrasim jetët tona dhe të njerëzve tanë. Koha do të na gjykojë rëndë, sepse nesër fëmijët tanë do të na syrgjynosin me termin e mafiozit. Sepse në të gjithë botën trafikun me mbetjet urbane të rrezikshme e bëjnë “Tano karidët” dhe “Espinozat” dhe për fat të keq Komisioni i Ligjeve, Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Qeveria dhe politika shqiptare nuk ka pak të tillë.

Ndaj sa pa qenë vonë, “Kuvendi Civil” ju bën thirrje qytetare, t’u themi jo “Camorrave”, “Sacra Corona Unita” apo “Ndragheta”-ve që janë të lidhura ngushtë me ministra që aktualisht janë nën hetim për koncesione, tendera, bashkëpunim me Mafian dhe pastrime parash. Sepse për afro 5 vjet vendi ynë do të mbushet me plehra dhe numri i të prekurve me kancer, me deformime apo me sëmundje të rënda vdekjeprurëse do të rritet ndjeshëm nga ku mund të shkoj që 5-7 mijë shqiptar do të preken në vit nga këto sëmundje të cilat shkaktohen nga përpunimi apo djegia e plehrave të importuara në vend,” thekson deklarata e të rinjve.