Arbën Xhaferi, arsyeja politike më e artikuluar shqiptare

0
60

Nga Remzi Lani

Libri “Arbën Xhaferi rrëfen…” është rrëfimi elok-uent i një prej personazheve më të rëndësishëm të hapësirës politike dhe intelektuale shqiptare. Arbën Xhaferi është, sipas meje, mendja më e qartë dhe arsyeja më e artikuluar politike e dy dekadave të fundit ndër shqiptarët dhe njëkohësisht një ndër intelektualët më të sofistikuar që ne kemi pasur ndonjëherë.

Për të arritur në këtë përfundim, ndoshta nuk do të ishte e nevojshme të lexohej ky rrëfim. Por, kjo intervistë e gjatë e Enver Robellit me Arbnin të heq çdo mëdyshje.

Unë as jam në gjendje, as dua të shuaj kuriozitetin e lexuesve të ardhshëm të këtij libri, por vetëm dua të them se në 200 faqet e tij do të gjeni jo vetëm jetën e një njeriu, e një ballkanasi që “e ndien veten rehat në lëkurën shqiptare”; por edhe trajektoren e një intelektuali që pasi ka studiuar në Beograd, ka punuar në Prishtinë, vendos të kthehet në Tetovë, për të folur për Rusoin, kontratën sociale dhe më pas, pas 10 vitesh, për të firmosur atë që njihet si Marrëveshja e Ohrit.
Rrëfimi i Arbën Xhaferit është pikë së pari rrëfimi i një njeriu të sinqertë, që nuk ka ç’të fshehë dhe nuk kërkon të fshehë asgjë. Faqet e këtij libri e provojnë këtë.

Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, së dyti, rrëfimi i një njeriu të ditur. Dija, dituria, intelektualizmi, janë pjesë organike e qenies së tij. Ai nuk shet erudicion, ai është erudicioni vetë.

Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, së treti, rrëfimi i një njeriu vizionar. Është një vizion i ndërtuar në vite, mbi bazën e eksperiencës së tij dhe të popullit të tij, por edhe mbi bazën e një historie që ai e njeh me themel dhe të një gjeopolitike që ai e zotëron mjeshtërisht. Nuk është e thënë të jesh dakord me këtë vizion në çdo aspekt të tij, por nuk mund ta fshehësh se ai të tërheq, të bën të mendohesh.

Rrëfimi i Arbën Xhaferit është, së katërti, rrëfimi i një njeriu që fatkeqësinë më të madhe konsideron “humbjen e diçkasë që e do me thellësinë e qenies”, siç thotë ai vetë.
Një rrethanë e paparashikuar nuk bëri të mundur që Arbni të ishte sot këtu në këtë promovim, siç e kishim paralajmëruar dhe siç ai e dëshironte aq shumë. Çdo ardhje në Tiranë për të ka qenë një festë. Unë nuk kam takuar ndonjë njeri që ta dojë Tiranën si Arbën Xhaferi. Prandaj, jam i sigurt që ne kemi mirëkuptimin tuaj për këtë mungesë.

Ndërkaq, besoj se këtë mungesë do ta plotësojnë sadopak, me praninë e tyre, autori i kësaj interviste të gjatë, gazetari i njohur Enver Robelli dhe miku ynë, një nga miqtë më të ngushtë të Arbën Xhaferit, gjithashtu Veton Surroi, autor edhe i një parathënieje të shkëlqyer të këtij libri dhe editor i botimeve “Koha”.