Më keq se sa kaq nuk ka

0
45

Respublica.al

Janë tronditëse të gjitha ato që po dalin nga dokumentat online të WikiLeaks-it. Ka në to opinione dhe vëshgime, të cilat kanë rëndësi në radhë të parë për faktin, që nxjerrin në shesh mendimin që diplomacia amerikane ka për klasën politike shqiptare në përgjithësi, e për “beniaminin” e vet Sali Berisha në veçanti (të gjithë e dimë se sa rëndësi ka ajo që mendon diplomacia amerikane për establishmentin sundues të një vendi si Shqipëria).

Por më shumë se sa këto opinione e komente të trondisin faktet e të dhënat, të cilat ose u japin formë ‘materiale’ gjërave që deri më sot i kishim hamendësuar, ose përforcojnë gjëra që i kemi ditur përgjysmë, ose na mësojnë gjëra të reja, që s’i kemi ditur. Djali i kryeministrit që i jep vetes të drejtë të marrë në telefon e të urdhërojë shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, shefi i shtabit që shkon në ambasadën amerikane për të dëshmuar, se ka frikë nga familja që sundon, një shef tjetër shtabi që emërohet në vend të të parit, s’ka gjë se në adresë të tij paska pasur zëra që merrte pará në këmbim të caktimit të një ushtari në një mision paqeruajtës (është përhapur si një flamë kjo puna e shitjes “së posteve”;

mund të dalin gjëra të tjera më pas, jo domosdoshmërisht nga WikiLeaks-i), një kryeministër që bën ligjin në këtë vend tok me familjen e tij, e në të mirë të familjes, deputetë majtas e djathtas të nakatosur me krimin, një drejtor i madh policie, ish-bodyguard i Berishës, i përzjerë me rrjete kriminale, një drejtor policie më i madh se ky që di gjithçka mbi këtë fakt, por s’di ç’t’i bëjë, pasi është i afërm dhe ish-bodyguard i kryeministrit, një ministër që liron të burgosurit, me kusht që këta të fundit t’i japin një dorë në fushatën elektorale, një kryeministër që don të fitojë zgjedhjet se s’bën, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i shpëtojë drejtësisë, etj, etj.

http://respublica.al/artikuj/2011/9/3/me-keq-se-sa-kaq-nuk-ka