ResPublica, 24 gusht 2011
Në fundjavë, tabloidi britanik Daily Mirror kish dalë me një titull të madh, ku lexohej: You Plonker! Do të thotë pak a shumë: Ju jeni idiot! Por ka dhe kuptimin: ju jeni rrotë k… Janë të gjitha gjasat që ta kenë përdorur me këtë kuptimin e dytë. Ishte një titull që shoqëronte foton e kryeministrit David Cameron, me veshje casual e duke hapur një shishe verë gjatë pushimeve në Toskanë. Dhe po aty, me ca fraza sintetike, bënin një përligjje të termit të fortë të përdorur: “Vendi është në krizë… Ekonomia është keq e më keq…. Rrugët tona janë pushtuar nga trazirat. Ku është kryeministri ynë? Është duke hapur një shishe vere. Plonker!”
Nëse do të drejtoja dhe unë një tabloid në Tiranë, sot do të dilja me titullin e madh: Kryeministri ynë është rrotë k…. Për ta shoqëruar këtë foto, do të zgjidhja një foto nga ato të tijat, në të cilat duket i shformuar në fytyrë e gjithë grimasa që të kallin datën, dhe thelbin e lajmit do ta nxirrja nga një mbledhje e qeverisë, ku kryeministri ynë, pasi merret sërish me Libinë e Gaddafi-n, bën premtimin se do të dërgojë ekipe mjekësh dhe do të ndërtojë një spital fushor në ndihmë të kombit të madh libian, që mundi diktatorin. Dhe do thoja: “Spitalet tona publike janë ku thërret kiameti.
Askush nuk do donte të kurohej në to. Pacientët paguajnë nën dorë për çdo shërbim të ofruar nga personeli, dhe sikur të mos jetë mjaft kjo – deri këtu ka arritur puna – janë të detyruar të blejnë ilaçet, me të cilat kurohen në shtratin e spitalit, në farmacitë private. Ndërsa kryeministri ynë premton të ndërtojë një spital fushor, me të gjitha paisjet e nevojshme, në Libi. Ptu, You fucking plonker!”




