Majko: Berisha e kaloi censusin sepse ishte nën presion

0
109

Pandeli Majko

Pandeli Majko, anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste duke folur për ligjin e regjistrimit të popullsisë deklaron se ky ligj u miratua në mënyrë të njëanshme. Sipas Majkos kjo është bërë për interesa politike pasi kryeministri është shantazhuar. Këtë deklaratë Majko e ka bërë në një intervistë dhënë “Radio Kosovës”.

“Kemi të bëjmë me një akt unilateral (të njëanshëm) nga qeverisja e ashtuquajtur “e djathtë” e drejtuar nga kryeministri aktual. Kjo histori nuk është thjesht histori regjistrimi, apo histori teknike. Ajo do të kërkonte një dialog më të gjerë midis klasës politike dhe pse jo me të gjithë shoqërinë shqiptare. Por, mesa duket për arsye të caktuara të interesave politike të kryeministrit Berisha, kjo kaloi më mënyrë unilaterale dhe pa asnjë lloj dialogu.

Sigurisht, që çështja e regjistrimit do të kërkonte respektimin e një modeli, të një standardi. Por, duket se në këtë rast ky është opinioni im), qeveria shqiptare ka qenë nën presion për këtë vendimmarrje që ka të bëjë me të ashtuquajturin “census”, është shprehur Majko.

Ish-kryeministri nënvizon se “ka më shumë se 2-3 shtete që kërkojnë me insistim të kenë minoritete, që më pas t’i përdorin si mekanizma le t’i quajmë kështu edhe si presioni, për situatat e brendshme të Shqipërisë” por ai thotë se megjithatë “kjo mund të konsiderohet thjesht një përrallë që nuk do të funksionojë”.

Në fund Majko shprehet se pavarësisht se ligji u miratua pa një diskutim të gjerë “kultura fetare në Shqipëri qëndron mbi kulturën politike dhe kjo është ajo që më jep shpresë, që për fat të mirë në shoqërinë shqiptare ka valvula që nuk do të lejojnë që histori të natyrave të tilla të kthehen në konflikte apo në probleme për vetë shoqërinë shqiptare”.