21 Janari, Zëvendësi i Klinton sot në prokurori

0
80


TIRANE – Për herë të parë, një zyrtar i lartë i administratës amerikane do të takohet me prokuroren e Përgjithshme. Zv/sekretari amerikan i shtetit, James Steinberg pritet të takohet sot në prokurorinë e Përgjithshme me kreun e këtij institucioni, Ina Rama. Takimi i këtij niveli vjen pas ngjarjeve të ndodhura më 21 janar të këtij viti, ku si pasojë e demonstratës së opozitës u vranë katër shtetas përpara selisë së Kryeministrisë.

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se ky takim do të mbahet sot në orën 11:15. Steinberg, i cili ka mbërritur në Tiranë mbrëmë, pritet të takohet në ditën e sotme dhe me udhëheqësit politikë shqiptarë, Sali Berisha dhe Edi Rama, si dhe me presidentin e vendit, Bamir Topi.

Turi diplomatik i Steinberg që përfshin Shqipërinë, parashikon ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës politike. Në takimet që do të zhvillojnë në Shqipëri, zyrtarët e lartë amerikanë pritet të përqendrohen në situatën e vështirë politike në vend e të ritheksojnë rëndësinë e zgjedhjeve lokale për zgjidhjen e ngërçit politik, si dhe do të përforcojnë rolin e prokurores së Përgjithshme në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.

Kështu pritet t’i jepet mbështetje kryeprokurores Ina Rama për hetimet e ndërmarra për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Që pas kësaj ngjarjeje, kryeprokurorja Rama po sulmohet ashpër nga kryeministri dhe maxhoranca parlamentare. Steinberg pritet të japë dhe një konferencë për shtyp në ambasadën amerikane pas takimeve zyrtare që do të zhvillojë.

Dje paradite mbërriti për herë të tretë në Tiranë, zv/ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Tomas Kantrimen. Ai u takua fillimisht me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Më pas Kantrimen, rreth orës 18:00 zhvilloi një takim me kryesocialistin Edi Rama në Bashkinë e Tiranës. Takimi ndërmjet tyre ka zgjatur për më shumë se një orë e 45 minuta. Kantrimen, i cili ka negociuar dy herë me liderët politikë për zgjidhjen e krizës, kësaj here vjen në Tiranë për të parapërgatitur takimin e ditës së sotme të kryeministrit dhe liderit të opozitës me zv/sekretarin Steinberg.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)