TemA, 4 Shtator 2012
Para pak ditësh gazeta Panorama publikoi një listë me rreth 100 zyrtarë, që kishin deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhurata në shuma të mëdha. Në krye të listës qëndronte zëvendësministri i Mjedisit, Auron Mëneri. Ai deklaronte se kishte marrë dhuratë plot 240 milion lekë të vjetra.
Por pas reagimit të PS, e cila kërkoi hetim të plotë për këta zyrtarë, zëvendësministri ka thënë se dhuratën e ka marrë nga familja. Ai ka sulmuar ashpër edhe opozitën, duke i quajtur langonj të ish- Bllokut.
“Miqtë dhe të njohurit që e dinë origjinën time mbase do ta gjenin të tepërt këtë sqarim, por sidoqoftë unë mendoj se u detyrohem edhe lexuesve dhe opinionit që është mjaft i ndjeshëm në këtë rast. Të gjithë dhuratat janë produkt i trashëgimisë familjare, të gjitha lehtësisht të verifikueshme, të dhuruara nga babai im.
Për të sqaruar shqetësimin e Sajmir Tahirit, dua të theksoj se unë nuk i përkas klasës së langonjve apo pinjollëve të Bllokut, që përpiqen të rrëmbejnë një kockë të hedhur nga politika dhe e lëpijnë në ndonjë skutë të errët, por jam pasardhës i një prej familjeve më të pasura dhe më të njohura të Tiranës, që ekzistencën e saj e ka të lidhur me punën dhe ndershmërinë dhe jo me bëmat e Partisë së Punës apo Sigurimit të Shtetit”.