Zv/komandanti i Gardës: Më 21 janar do sulmohej eskorta e Berishës për t’u marrë peng

0
46

TemA Online, 25 Korrik 2012

“Në 21 Janar, Garda e Republikës ka pasur informacion se do të sulmohej eskorta e kryeministrit të vendit Sali Berisha”. Kjo është bërë e ditur në seancën e radhës në ngarkim të tre të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume, nga ish-zv/komandanti i Gardës dhe aktualisht komandanti në detyrë, Artan Hoxha, raporton Vizion Plus. Zyrtari i lartë i Gardës tha se informacioni u kishte ardhur nga Policia e Shtetit me një shkresë zyrtare.

Në të thuhej se rreth orës 16:00 të datës 21 janar, një grup prej 300-400 personash me precedentë penalë do të grumbulloheshin në hyrje të “Rrugës së Elbasanit” dhe do të sulmonin për të marrë parlamentin.

Ndërsa persona të tjerë, që do të udhëtonin me dy makina, njëra me targa të huaja e tjetra me targa Shkodre, do të sulmonte eskortën e kryeministrit kur të kthehej në shtëpi. Për shkak të këtij lajmi, janë shtuar masat e sigurisë rreth Kryeministrisë, Kuvendit dhe shtëpisë së Berishës.

Artan Hoxha shtoi se gjatë demonstratës ka pasur dhunë nga protestuesit, ndërsa asnjë person i Gardës nuk ka pasur urdhër te qëllojë. “Nëse do të ishte goditur mbi turmë, do të ishte shkaktuar një masakër,” ka përfunduar ish zv/komandanti i Gardës, Artan Hoxha.

Ndërkohë, ai ka dhënë detaje edhe në lidhje me takimin mes tij, Ndrea Prendit dhe ish-ministrit te Brendshëm, Lulëzim Basha, brenda ambienteve të Kryeministrisë. Sipas Hoxhës, Prendi i ka kërkuar Bashës të rivendoste kordonin e policisë, i cili ishte larguar duke lënë gardistët nën sulmin e protestuesve.