Zullumqar deri në fund

0
51

Nga Petrit Qejvani, 11 Gusht 2013

Berisha gjatë karrierës së tij politike ka bërë shumë zullume. Dhe si çdo zullumqar i vetdijshëm, edhe ai do ta mbyllë ciklin e tij politik me zullume. Me një fjalë, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga huqet e tij të vjetra politike.

Berisha është politikan i tipit “silur”, që do të shkojë pa tjetër atje për ku është vetëtelekomanduar. Asnjë rrethanë, sado e rëndësishme, nuk ndikon në trajektoren e sjelljes së tij politike. Ai nuk i ndjen rrethanat, kur ato janë të pafavorshme për të. Përkundrazi.

Duke qenë një politikan kontraversal, ai mendon se rrethanat duhet t’i përshtaten atij dhe jo ai rrethanave! Ai vepron si një makinë e kurdisur, që do ta çojë deri në fund programin e vet. Edhe sikur kjo të ishte shkatërrimtare për të. Ai shpesh jeton në një botë virtuale, produkt i delirit, paranojës dhe narcizmit të tij, jo vetëm politik.

Me një kokëfortësi dhe fodullëk provincial, ai “harron” se shqiptarët politikisht e kanë rrëzuar më 23 qershor. Pra, ai realisht nuk është kryeministri aktual i Shqipërisë, por kryeministër dezhurn për muajt e verës. Mirëpo kjo nuk e pengon atë të marrë vendime, ndonëse Kushtetuta ia ndalon, njëlloj si të ishte kryeministër i rizgjedhur. Vazhdon të japë koncensione, të bëjë privatizimet e fundit të asaj ç’ka mbetur nga prona publike, duke anatemuar opozitën- maxhorancë se ajo do t’i anullojë këto vendime, duke i shtetëzuar sërish, duke dashur t’i trembë shqiptarët me gogolin e Marksit…

Qëllimi i gjithë kësaj megalomanie destruktive është t’i lërë opozitës sa më shumë litarë nëpër këmbë. E gjitha kjo brenda “filozofisë” së tij të “ngrirjes së buzëqeshjes” fitimtarëve, domethënë qytetarëve. Ndër vendimet e fundit janë dhe ai për importimin e 2600 ton plehra nga Italia dhe Greqia, duke i bërë karshillëk Kushtetutës dhe referendumit të pritshëm të dhjetorit për mosimportimin e plehrave nga jashtë dhe maxhorancës së re, që ka deklaruar se do ta anullojë ligjin për importimin e plehrave, ai për shkatërrimin e zonës së ruajtur të Nartës, rishitja e dështuar e ARMO-s, falja e SHQU-së Partisë Demokratike e kushendi ç’do shpikë derisa të dorëzojë çelësat e qeverisë, në mos po ndërron mendje në çastin e fundit dhe i flak çelësat në lumë…

Natyrisht, të gjitha këto i trumbeton në emër të kapitalizmit, paçka se pas tyre fshihen afera dhe përfitime personale marramendëse. I mundur, por krenar, ai ecën serbes nga dera e sallës së mbedhjeve të qeverisë deri te kolltuku i tij, thua se çudit dynjanë.

Nuk e kuptoj pse televizionet e japin paradën e tij nga hyrja në sallë te kolltuku i tij! Me sa duket ju pëlqen ecja e Berishës, autoritarizmi i tij dhe fakti se ai mund të ishte një oficer i mirë, sidomos për rreshtore! Është vërtet groteske dhe mbresëlënëse!

Mbetet që ministrat e tij të çohen në këmbë kur hyn ai triumfator, për ta bërë të plotë “madhështinë” e ceremonisë rutinë. Ndërsa nuk kemi parë në mbledhjet e qeverive të vendeve të tjera europiane një skenë të tillë, veç kryeministra të ulur, që drejtojnë mbledhjet e kabinetit qeveritar.

Sigurisht, ky trim që s’e njeh tutën, sillet kështu pasi deri tani, edhe pse ka djegur e shkatërruar Shqipërinë si më 1997, edhe pse ka bërë disa gjëma gjatë 8 viteve të çqeverisjes së tij, nuk ka dhënë llogari për krimet e bëra.

Berisha, i mësuar me përkëdhelje pikërisht kur duhej ndëshkuar, është si ai nxënësi problematik i klasës, që mësuesit duhet ta falin edhe kur bën veprime të pahijshme, edhe kur prish mësimin, se mos na ikën nga shkolla dhe përmbyset dynjaja…

Berisha bën pjesë në ata politikanë, që as skuqen dhe as zverdhen, që nuk e njohin as turpin, as frikën. Pra, të pacipë. Këta janë kategoria më e rrezikshme e politikanëve.

Me këta tipa sjellja më e efektshme dhe rezultative është ndëshkimi. Dhe jo vetëm me votë, por dhe dënimi nga drejtësia. Çdo sjellje tjetër në emër të tolerancës dhe luajalitetit, të “shpirtit demokratik”, të trajtimit “human” të opozitës do të thotë që Rilindja të dështojë që në “lindje”.

Me Berishën nëpër këmbë nuk ecet, pale të ecet shpejt