Ulsi Manja
Në këto ditë të para të fillim vitit 2010, një pjesë e Shqipërisë së Veriut u gdhi e mbuluar nga uji dhe për çudinë e të gjithëve, dy njerëzit më të pushtetshëm në “mbretërinë e ujit”, kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, nuk nguruan t’u thonë me mburrje shkodranëve se kjo që ndodhi, është kartolina që “Zoti” kishte përzgjedhur për ta për vitin që sapo kemi hyrë.
Pa dashur të hyj në punët e Zotit, përmbytjet e ujit në zonën e Nënshkodrës janë sa punë e natyrës, po aq edhe papërgjegjshmëri e dorës njerëzore. Unë kam punuar disa vite në zonën e Shkodrës dhe nuk është ndonjë risi apo zbulim i madh t’u thuash njerëzve fisnikë e punëtorë që banojnë e jetojnë atje, se “këtu bie shumë shi ndaj ne nuk kemi çfarë të bëjmë se nuk luftohet me Zotin”. Ata njerëz këtë e dinë, ndaj nuk kanë kërkuar dhe as kërkojnë ndonjë gjë prej qeverisë, e vetmja gjë që ata kërkojnë në këto momente është që me fatkeqësinë e tyre të mos qeshë dhe ironizojë kryetarja e Kuvendit sa herë del në televizor dhe as të mos qajë kryeministri se i dhimbsen shumë ata banorë, sepse të gjithë e dimë se qeveria jonë është e zonja, siç do të shprehej një analist në një të përditshme, vetëm “postmortum” , u bën dhe të shtatat pastaj shkon dhe u “blen” edhe votën po me lekët e taksave të tyre, duke shfrytëzuar varfërinë ekstreme, që ka gatuar vetë.
Seç kam një parandjenjë të keqe që, sa herë pushteti nuk i ka punët mirë, sa herë që vështirësohet klima politike në Tiranë, ajo gjithmonë ka “gati” një zullum të kurdisur me kohë për t’ia servirur skenës politike e në veçanti opozitës që është jashtë parlamentit, me qëllimin e vetëm largimin e vëmendjes nga kriza e rëndë politike dhe ekonomike që ka mbërthyer vendin dhe që nesër si alibi të sajën t’u thotë shqiptarëve se edhe në këtë fatkeqësi të radhës “fajin e ka opozita, që nuk na mbështeti, madje u gëzua që ndodhi përmbytja”. Madje “gojët e liga” brenda mazhorancës thonë që kjo puna e përmbytjeve është si puna e ligjit gay që tha doktori dhe s’u dërgua fare në parlament, një tjetër thotë që është flluskë si puna e historive rozë të opozitës apo aleancës mafioze, ndërsa ka të tjerë që nën zë thonë që digat u hapën të fitohet ndonjë euro për të kaluar krizën ekonomike që po fundos qeverinë e shumë e shumë të tjera.
Unë nuk kam as më të voglin dyshim, se brenda kësaj që thuhet ka diçka të vërtetë, sepse pas çdo fjale “të dhembshur” që thotë kryetarja e Kuvendit në televizor, i shkëlqejnë sytë dhe përmend opozitën dhe duket sikur i thotë asaj “harrojini kutitë e hajdeni në parlament” se ne kemi “bisedu me Zotin”, që katastrofa të vazhdojë edhe dy-tre muaj të tjerë. Dhe për ta bërë këtë të besueshme në krahun tjetër del shumë “i prekur” kryeministri i vendit dhe thotë: “Vendi është në prag katastrofe dhe kjo gjendje sipas parashikimeve të motit mund të zgjasë shumë”, pastaj po i ftuar nga qeveria vjen eksperti italian i digave, këshilltar i Berluskonit (shpëtimtar i Berishës kur është keq), i cili prezent në mbledhjen e Komitetit Ndërministror u thotë shqiptarëve: “Qetësohuni, se ka edhe më keq, po ne do t’ju ndihmojmë ta kaloni këtë katastrofë” etj. Vetvetiu më lind pyetja: Po sikur opozita të kthehet pa kushte ne parlament e t’i bëjë hije qeverisë, a thua ndalohet dhe shkurtohet afati i tejkalimit të kësaj katastrofe?
Pa dashur dhe papritur seç më vjen një si përgjigje që unë nuk dua ta besoj, se kjo punë rregullohet, pasi nuk është “dora e Zotit”, se Zoti i do shkodranët dhe shqiptarët njëlloj si gjithë të tjerët, por është dorë e njerëzve që ne kemi zgjedhur për të na mbrojtur e ruajtur jetën, shtëpitë, pronat, digat, fabrikat, repartet, aeroportet etj., të cilët për hir të pushtetit të tyre janë gati të bëjnë me koshiencë zullume të tilla ndaj popullit të vet, por…, ishallah jam i gabuar në këto, që më vijnë mua në mendje.
Unë them që kjo gjendje duhet të marrë fund sa më parë, pasi ata që po paguajnë në këtë rast janë me mijëra hallexhinj dhe fukarenj, që gjithë pasuritë dhe të ardhurat që kanë mbledhur në këto vite të vështira tranzicioni, që i kanë vënë më mundime kolosale duke punuar rrugëve të botës dhe jo nga “xhentilesa” e qeverisë po u shkojnë dëm.
Sa për opozitën, ajo ka vetëm fjalën dhe zemrën e pastër, për t’u qëndruar njerëzve pranë në këtë hall që i ka zënë me pushtetin, sa për gjëra të tjera, ajo ka “çelësat e kashtës” dhe këtë e dinë mirë ata njerëz fisnikë që po luftojnë me përmbytjet dhe gjithë shqiptarët mbarë që po vuajnë krizën ekonomike. Po, opozita për pushtetin e dyshes së ujit ka një gjë në dorë: hyrjen në parlament dhe lënien e qeverisë të qeverisë si t’i dojë qejfi. Në rast se do ta bënte një gjë të tillë duke shkelur kushtet që ajo ka vënë ajo do t’i zgjaste jetën 4 vjet kësaj qeverie të mbaruar, dhe për këtë qeveri ajo do të ishte opozita më kombëtare, më e përgjegjshme, më e mira opozitë dhe në fund do t’i vidheshin prapë votat, prapë do të kërkonte hapje kutish, prapë do të ishte në mitingje dhe jashtë parlamentit dhe prapë do të kishim përmbytje. Por jo këtë radhë opozita duhet të bëjë më të mirën “opozitën e saj të fortë”, për të mos pasur më kurrë vjedhje votash, Gërdec dhe as përmbytje.
Kështu si jemi katandisur ne sot, të varfër, të përmbytur, të pasigurt për jetën kur lëvizim, me qiri dhe kallamoq, e të gjitha këto nga paaftësia e qeverisjes, unë jam i bindur që Zotit i vjen turp nga këto krijesa që i përmendin emrin vend e pavend dhe që një ditë do t’i ndëshkojë për mëkatet e tyre.
*Ish-kryeprokuror në Shkodër