ZOTI MINISTËR, LARGOHUNI!

0
49

Rudina Seseri

Nga Rudina Seseri, 11.07.2010

Menaxhimi i financave publike është detyra më delikate dhe më me përgjegjësi midis të gjitha funksioneve të çdo qeverie. Nga ky menaxhim varen ekuilibrat ekonomiko-financiarë të vendit, me pasoja të drejtpërdrejta në ekuilibrat socialë dhe ne gjendjen ekonomike të çdo shqiptari. Prandaj, ne ndryshim nga përgjegjësi të tjera, kjo detyrë nuk toleron amatorizëm, paaftësi, mungesë integriteti dhe aq më pak mashtrime.

Disa herë i kemi rënë kambanave për pragkatastrofën e financave publike shqiptare, por gjithë ç’kemi thënë e ç’kemi shkruar ka rënë në vesh të shurdhër dhe më së shumti është përgënjeshtruar nga kreu i qeverisë ose është kaluar me buzëqeshje ironike nga Ministri i Financave.

Madje, pak kohë më parë, ky Ministër kundërshtoi me shpoti publikisht edhe ekspertët e Bankës Botërore, që vunë alarmin për treguesit e ekonomisë shqiptare. Por, së fundmi, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar foli shumë qartë e në mënyrë të drejtpërdrejt që Shqipëria po degradon si Greqia. Foli shumë më qartë dhe më drejtpërdrejt se 14 vite që paralajmëroi rrezikun e piramidave. Kjo është një kambane alarmi për gjithkënd që e kupton se çdo të thotë kolaps financiar dhe për të gjithë ata që ju dhimbset ky vend.

Pse financat shqiptare arritën në këtë gjendje? Edhe për këtë kemi një vit që flasim e shkruajmë, por askush nga mazhoranca nuk ka denjuar të reflektojë. Por, tani ka ardhur koha që Ministri i Financave të identifikohet si përgjegjësi kryesor i kësaj pragkatastrofe.

Ministri i Financave është përgjegjësi kryesor i prishjes se marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar që do të krijonte mundësi për monitorimin e drejtpërdrejtë të ekonomisë shqiptare, duke propozuar masa korrigjuese dhe aplikuar masa shtrënguese. Duket qartë se përjashtimi i FMN-së nga Shqipëria nuk ishte thjesht një veprim nga megalomania apo paaftësia.

Ky ishte një veprim i qëllimshëm për të shmangur transparencën e vendimeve dhe veprimeve që lidhen me menaxhimin e financave publike dhe të ekonomisë për t’i lënë rrugë të lirë abuzimeve.

Ministri i Financave është përgjegjësi kryesor i fshehjes së realitetit të financave publike dhe ekonomisë shqiptare. Ai është treguar sistematikisht i papërgjegjshëm, duke bashkëdeklaruar me kryeministrin se Shqipëria është i vetmi vend në botë që parandaloi krizën, nuk u prek nga kriza dhe arriti të diagnostikojë masat e “gabuara” antikrizë të vendeve perëndimore.

Janë sërish Ministri i Financave dhe Kryeministri që me kokëfortësi jo profesionale ofrojnë receta antikrizë për çdo vend, përfshirë dhe Kinën. Kjo është eufori e një ministri të papërgjegjshëm e të paditur, i cili, duke menduar se drejton financat e një populli injorant, i lejon vetes të flasë kuturu, ndërkohë që nuk duhet të flinte dot i qetë pa marrë masa për zbutjen e pasojave të krizës.

Ministri i Financave është përgjegjësi kryesorë i manipulimit dhe mashtrimit kolosal me treguesit ekonomikë e financiarë. Ai i ka gënjyer dhe vazhdon t’i gënjejë të gjithë me shifrat e rritjes ekonomike, ndërkohë që ekonomia është tkurrur. Ai i ka gënjyer dhe vazhdon t’i gënjejë të gjithë me shifrat e deficitit, ndërkohë që ai ka arritur 7% të PBB. Ai i ka gënjyer dhe vazhdon t’i gënjejë të gjithë për nivelin real të borxhit publik.

Ai vazhdon të mbajë të fshehur dështimin spektakolar të eurobondeve dhe hiqet sikur s’ka ndodhur asgjë. Ai ka abuzuar me detyrën, duke nxjerrë jashtë funksionit Institutin e Statistikave dhe duke e vënë atë në rolin qesharak të “argumentuesit” të shifrave të pavërteta që Ministri dhe Kryeministri paracaktojnë.

Ai ka abuzuar me detyrën duke drejtuar operacionin e marrjes së kredisë nga bankat vendase, një veprim sa i pamatur aq edhe i rëndë në dëm të sipërmarrjes private dhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Për më tepër, financimi me hua afatshkurtra dhe interesa të larta (interesat e deklaruara dhe kostot e fshehura) jo vetëm nuk e zgjidhin problemin e krizës buxhetore, por vazhdojnë ta fundosin akoma më tepër Shqipërinë.

Ministri i Financave është përgjegjësi kryesor i zhbalancimit të buxhetit të shtetit, veçanërisht të buxhetit të vitit 2010. Nga një anë, Ministri lejoi shpërdorimin kolosal të fondeve të investimeve, duke paguar shuma abuzive dhe pa asnjë logjikë ekonomike dhe duke lejuar kontrata investimesh jorealiste vetëm për qëllime elektorale. Nga ana tjetër, ai propozon në mes të vitit ndryshime në buxhet që ndërpresin thuajse plotësisht investimet. Këta janë tregues tipikë të keqmenaxhimit të financave publike dhe të abuzimit me detyrën.

Është po ky Ministër që drejtonte financat publike në kohën e piramidave, ju kujtohet? Në asnjë vend të botës përgjegjësi i një katastrofe piramidale nuk do të guxonte të rikthehej në Ministrinë e Financave, por ja që ky Ministër u kthye për ta provuar edhe një herë. Dhe sërish rezulton se ky është thjesht një Ministër i paaftë dhe i papërgjegjshëm, që po të vazhdojë të jetë në këtë detyrë do t’i bëjë shqiptarët të paguajnë shumë më shtrenjtë se në kohën e piramidave.

Zoti Ministër, duhet ta kuptoni se është koha të largoheni. Është koha të largoheni tani, para se piramida e paralajmëruar e financave publike të shembet e të zërë poshtë përsëri të gjithë shqiptarët.