Zoti Berisha! Ke të drejtë të heshtësh…!

0
49

Nga Mero Baze, 26 Janar 2012

Të gjithëve na vjen në mendje skena klasike kur policët amerikanë arrestojnë ndonjë kriminel në vendngjarje, dhe ndërsa i shtrëngojnë prangat, i thonë me shumë seriozitet formulën juridike “… ke të drejtë të heshtësh, përndryshe çdo deklaratë do të përdoret në ditën e gjykimit”. Është një shans që drejtësia ua jep kryesisht personave të kapur në flagrancë, të cilët kanë nevojë të riartikulojnë qëndrimin e tyre për atë që akuzohen.

Sali Berishës i ka ndodhur një problem me të drejtën e tij për të heshtur. Ai e ka shtyrë për gati një vit momentin kur dikush duhet t’i thoshte që të pushonte së foluri për 21 Janarin. I vendosur të prodhonte publikisht jo vetëm një skenar imagjinar, por dhe detaje ilustruese për të, ai në të vërtetë e ka shpërdoruar të drejtën e tij për të heshtur. Nga ato çfarë ka thënë ai deri më sot për 21 Janarin, ne kemi një arsye të fortë që ta ndëshkojmë këtë njeri, jo vetëm për atë që ka bërë më 21 Janar, por dhe për atë që ka tentuar të bëjë pas 21 Janarit. Më 21 Janar ai ka vrarë katër qytetarë. Vartësi i tij direkt, komandanti i Gardës ka qëlluar mbi trupin e tyre dhe më pas në mënyrën më të shëmtuar në botë ka tentuar jo vetëm të fshehë krimin, por dhe vetë autorësinë e tij, duke ndërruar tytën e pistoletës me një punonjës të administratës që nuk ka qenë fare aty më 21 Janar.

Deri në orën 24:00 të datës 21 Janar, Berisha foli për vrasje të kryera nga opozita me çadra pistoletë, me qitje nga afër, dhe me thika me maja helmuese. Më 22 janar, pasi i ra skenari A i vrasjeve nga opozita, foli për nevojën e vrasjeve në një grusht shteti dhe prej asaj dite po vret dita- ditës një nga një gjithë institucionet e shtetit shqiptar. Nëse më 21 Janar vrau katër qytetarë, një vit pas 21 Janarit ka vrarë katër pushtetet e tjera në Shqipëri, atë të presidentit, gjyqësorit, parlamentit dhe medies. Ai ka dhënë versione nga më haluçinantet për bashkëpunimin e gjithë pushteteve kundër tij, për bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe më tej akoma për një ndëshkim të tyre sapo ai t’i marrë nën kontroll gjithë pushtetet.

Kjo fjalia e fundit duket se i ka bërë gjëmën më shumë se gjithë broçkullat e tjera që ka thënë. Duke e konsideruar njeri të paqëndrueshëm emocionalisht, dhe me probleme të forta me të vërtetën, perëndimorët duket se kanë injoruar fushatën e tij një vjeçare kundër institucioneve dhe retorikën e prodhuar prej tij për grusht shteti. Thjesht janë mjaftuar të thonë se nuk kishim ndonjë grusht shteti dhe se duhet hetuar 21 Janari. Por fakti që FBI hyri në mes, mblodhi provat dhe i ekspertoi ato, u kthye në një gjëmë. Ekspertiza e FBI provoi vrasjet e kryera nga njeriu më i afërt i Berishës në pushtet.

Ambasadori Arvizu foli dhe për një urdhërues që duhet të ishte mbi komandantin e Gardës. Kjo e çekuilibroi tërësisht kryeministrin dhe e detyroi që përveçse të ringjallte puçin e shtetit që kishte disa muaj që e kishte harruar, të guxonte të shkonte dhe më tej, duke folur për një president të ri të vetin, për një kryeprokuror të ri të vetin dhe që objektiv kryesor do të kishin dënimin e kryeprokurores aktuale dhe vërtetimin e “puçit” të shtetit. Mbi të gjitha ai po përpiqet të përfshijë dhe zotin Arvizu në pjesën B të grushtit të shtetit, duke e akuzuar se po bëhet pjesë e lojës për zgjedhje të parakohshme, siç kërkojnë “puçistët”.

Prej ditës që prokuroria ka kërkuar burg për komandantin e Gardës, Berisha nuk ka folur më publikisht për 21 Janarin. Intervistat e dhëna prej tij në media janë të regjistruara paraprakisht dhe ai po përpiqet të flasë në mënyrë të kontrolluar për planin e tij të ardhshëm. Kjo po rrit ndjeshëm tensionin në Uashington dhe Bruksel, pasi po përballen publikisht me një premtim për t’i dhënë fund shtetit ligjor në Shqipëri dhe për t’i hapur rrugë shkarjes së Shqipërisë në vorbullën e një pushteti arbitrar. Sali Berisha praktikisht ka hedhur poshtë ekspertizën e FBI, ka hedhur poshtë hetimin e saj profesional, ka hedhur poshtë angazhimin e tij formal para Brukselit për bashkëpunim me institucione të shtetit shqiptar në kuadrin e përpjekjeve për të marrë ftesë për vend kandidat për anëtar në BE… dhe mbi të gjitha ka hedhur poshtë shansin për të heshtur, pasi para tij u shfaq dosja e FBI.

Sa herë ata shfaqen para një personi të kapur në flagrancë, e përsërisin formulën “…ke të drejtë të heshtësh pasi kjo mund të të përdoret ditën e gjykimit…”. Sali Berisha duket se nuk do ta përdorë këtë shans për arsyen e thjeshtë se ai nuk beson se do të ketë një ditë që ai do të gjykohet. Dhe ka rinisur punën që në këtë vend të jetë vetë kryeministër, vetë president, vetë kryeprokuror, vetë kryegjykatës, vetë kryetar i KQZ. Është e vetmja mënyrë të mos gjykohet. Dhe e vetmja mënyrë që të ndëshkohet.