Nga Thanas Mustaqi
Kristaq Gerveni dhe Ferit Hoxha, duke mbrojtur marreveshjen e kufijeve detare
Pas shpalljes “Personazh i Vitit 2010”, pritej që Zotëria e Tij President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, të kujtohej dhe të dekoronte kolonelin në rezervë Myslim Pashaj me urdhrin më të lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin “Për akt atdhedashurie të fortë në mbrojtjen me ngulm të kufijve detarë të Shqipërisë”.
Të njëjtën gjë mund ta bënte për ata që iu bënë krah kolonelit të nderuar, psh. botuesi i kësaj gazete ku po shkruajmë, apo ata dy-tre përfaqësues të paktë të asaj pjese (fatkeqësisht) të vogël të medias së këtij vendi që bëri të mundur presionin publik për bllokimin e paktit famëkeq.
Por Zotëria e Tij President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dekretoi më 11 janar 2011 një nga atdhe-shitësit: Kundëradmiral Kristaq Gerveni emërohet përfaqësues ushtarak në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në Bruksel.
Ishte ai Gerveni, që e ka cilësuar të drejtë vijën e re të kufirit të përcaktuar me Greqinë duke pretenduar se pala greke ka pasur në favor të saj pozitën gjeografike, ndërsa pala shqiptare nuk paskësh pasur bazë ligjore për të mbrojtur interesat e saj territoriale. Gerveni pretendoi se Gjiri i Sarandës nuk është historik për Shqipërinë dhe se Greqia ka pasur të drejtë të afrojë vijën kufitare drejt Sarandës.
Por, sikurse dihet, Gjykata Kushtetuese vendosi se ka mangësi serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; moszbatim të parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; mosmarrje parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.
Zotëria e Tij, President dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të cilit iu faktua nga Gjykata Kushtetuese se i kishin grabitur fuqitë e plota për negocimin e kufijve detarë me fqinjin jugor, brenda 4 muajve, ringre në detyrë një ushtarak, që tentoi të tjetërsojë kufirin e shenjtë të atdheut. Jo vetëm kaq, kundëradmirali iu kundërvu turpshëm hartografit Myslim Pashaj.
Zotëria e Tij President i Shqipërisë, në vend që të kërkonte një hetim të gjerë penal për grupin e madh të kufi-shitësve (Kryeministër, ministra të Mbrojtjes, ministra të Punëve të Jashtme, ministra të Ekonomisë, juristë, ushtarakë), vazhdon të bëjë sehir për vazhdimin e negociatave me Greqinë dhe pas vendimit të Kushtetueses.
Çka është bërë me paktin e kufirit detar është në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Penal. Thjesht, kemi të bëjmë me krimin e tradhtisë kombëtare.
Shtoj se ishte Pashaj që i ktheu nderin e humbur Zotërisë së Tij President i Republikës për plotfuqitë.
Por ka dalë në shesh një maskaradë e turpshme teksa Institucioni i Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 1976/1, datë 3.12.2009 drejtuar Gjykatës Kushtetuese, shprehej se e linte në çmim të kësaj Gjykate vlerësimin lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën e marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë!
Në vend që Zotëria e Tij President i Republikës të protestonte të paktën për mos pajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes, ia lë në çmim të kësaj Gjykate vlerësimin, lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën.
E ç’e duam një President Republike që nuk e di se Kushtetuta, në nenin 92/ë, parashikon kompetencën e Presidentit të Republikës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare? Sipas Gjykatës Kushtetuese, rezulton të jetë bërë praktikë e vazhdueshme që edhe në raste të tjera të zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me palë shtetin shqiptar, delegacioni shqiptar të mos ketë qenë i pajisur me plotfuqi nga ana e Presidentit të Republikës. Ky përbën skandal më vete.
Pra, askush nuk ia var Zotërisë së Tij President, pasi ai vetë nuk i do kompetencat që ia jep Kushtetuta. Zotëria e Tij President ka shumë e shumë “kusure” dekretuese që e tregojnë një njeri pa personalitet, të mefshtë, të paaftë.
Një njeri që sulmon rrugaçërisht Prof. Myslim Pashajn dhe ata që mbrojnë tërësinë tokësore të shtetit, një njeri që lufton për të ratifikuar një pakt të kundërligjshëm, mund të bëjë gjithçka: të manipulojë tenderë, të bëjë emërime nepotike-partiake-klanore deri dhe të njerëzve të lidhur me botën e krimit ndërkombëtar, të shesë informacione të shërbimit sekret shqiptar në vende jo-anëtare të NATO-s, t’i ngarkojë ambasadorit detyrën e paligjshme të përfaqësimit të kreut të një komuniteti fetar në një vend tjetër, etj.
Zotëria e Tij President dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me të dëgjuar për implikimin e institucionit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë në aferat e tenderëve, nuk duhej të priste “distancimin” e kryetares, por të kërkonte dorëheqjen e saj. Ta zëmë se problemi i ish-zëvendëskryeministrit do të shkojë në Gjykatën e Lartë.
Nëse Ilir Meta del i pafajshëm, qoftë me të drejtë, do të ketë paragjykime: e ka ndihmuar zonja Kryetare. Dhe nëse Ilir Meta del i fajshëm dhe me të drejtë, do të ketë paragjykime sërish: i ka bërë padrejtësi zonja Kryetare për të hequr dyshimet ndaj saj.
Sidoqoftë puna, Zotëria e Tij President nuk duhet të deklarohet se për t’ia lënë videon në dorë të drejtësisë. Kujt drejtësi? Asaj që zvarrit pafundësisht gjyqin e Gërdecit? Kujt Prokuroreje të Përgjithshme i beson Zotëria e Tij President?
Në emisionin e Bashkim Hoxhës “Koha për t’u zgjuar” një telefonues i përmendi Prokurores së Përgjithshme se disa të arrestuar do të shpenzojnë për të blerë një video të xhiruar në Qafë Shtamë. Koincidencë që këta të arrestuar u liruan për Vitin e Ri!
Zotëria e Tij President dekretoi një ligj për pensionet e ushtarakëve që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe direktivat e NATO-s.
Kjo është një nga bëmat e tij të fundit, por ka edhe të tjera raste…. Më vjen keq ta them por Zotëria e Tij President është dëshmuar më shumë se një herë, njeri pa personalitet, i mefshtë, i paaftë dhe mediokër. Vendime si ky fundit ngjallin frikë se Zotëria e Tij President mund të jetë edhe i kapur. Te të huajt. Te “njerëzit e fortë”. Te partia, ku ishte nënkryetar.