Zot bëje të pavërtetë

0
48

Ardian Klosi

Ardian Klosi, 28.11.2009

Kryeministri i vendit foli pardje në Kuvendin e Shqipërisë si një grua e ligë në pazarin e peshkut. Ajo nuk la gjë pa thënë për kundërshtarin e vet politik. Ajo nxori në foltoren më të lartë të Republikës thashethemet më të papërfytyrueshme që në këtë vend nuk i dëgjon jo më në pazarin e kanistrave, por as te tezgat e sendeve të vjedhura dhe as në mejhanet më të ndyra të periferisë.

Si një çafkë e trembur nga qentë e fshatit, kryeministri gagati pardje historitë më të pabesueshme që as i madh e as i vogël në këtë vend të mjeruar të razbitur nga thashetheme gjithfarësh nuk mund t’ia kapërdijnë, kurse neve, njerëzit që e kemi pasur pranë vite të tëra njeriun në shënjestër të kësaj gate, na shtangu e na meku me fantazinë e vet të përçartur. Ndala një hop siç isha duke shkruar dhe kapa fjalorin e mirë të gjuhës shqipe, atë të vitit 1954, për të parë se pse i shkon kaq mirë asaj, kryeministrit tonë, fjala gatë. Ja përkufizimi: “shpend ligatinash, me sqep dhe qafë të gjatë e me një xhufkë me pupla të zeza në krye; i thonë ndryshe edhe çafkë ose çajme”.

Që ajo flet në një ligatinë dhe jo në foltoren më të lartë të kombit, kjo s’do shumë mend, mjafton të shikosh çafkat e tjera që iu bashkuan në gagatjen e saj, kush për të thënë se kryetari i socialistëve rreh gratë e tij, kush për të deklaruar se ka nxjerrë nënën leshralëshuar nëpër rrugë, kush për t’u dalë zot kopilëve të shumtë që ky përbindësh potent e virulent paska nisur nëpër rrugët e Republikës.

Edhe përmend pastaj dëshmi ajo, grifsha më përgojuese e rrugëve tona, thashethemexhija më e keqe që ka njohur ky qytet, na merr si dëshmi gazetarinë e Bazes në kohën kur ky ishte morr i saj (të më falë miku Ypi që ia mora për pak sekonda morrin). Në duan ligatinat që e mbajnë veten për Kuvend ndonjë dëshmi për Edi Ramën, nga njerëz që kanë bërë udhë me të, le ta dëgjojnë: është djalë si ai, është kavalier dhe i sojmë, me dritën e Mesdheut në ballë dhe jo me mjegullën e shpellave në shpirt, ai grave u jep dorën dhe i mban në pëllëmbë të dorës, ai nuk u lëshon në fytyrë atyre duhmën e hudhrës dhe erën e qelbur të rakisë, siç bëjnë plakat llafazane të mejhaneve që kanë zgjedhur për të parë grizhlën më sorrë-sorritëse që ka krrokatur ndonjëherë nën qiejt e këtij vendi.

Kryeministri foli pardje në tribunën më të lartë të demokracisë shtatanike shqiptare si ca lënesha gërnjare dikur te radha e qumështit, kur zgjoheshin keq ngaqë pa burrë në shtrat dhe zinin e merrnin nëpër gojë gjithë gratë e lagjes, sidomos ato më të bukurat. Dëgjove moj e zezë ç’i ndodhi Ritës së Fonit? – E kapi e vjehrra në shtrat me shoferin e të shoqit, pupu, po s’i ka thënë gjë të birit se ai e vret. Po për Zyranë e Myftarit e more vesh? – Dështoi. E kështu me radhë te radha e qumështit, tring-tring shishet bosh, qytetarët që mezi zgjohen nga e keqja dhe historitë më të fundit të lëneshave, gjersa vjen “Zuku” me 10 arka me qumësht e 5 me kos, e ngaqë s’mjaftojnë për të gjithë, lëneshat i lëshojnë historitë edhe më të çakërdisura. Korba unë e qyqja unë si na u bë kryeministri kaq gojëçpuar e gërgëritës! Po ku i mori vesh moj e mira, nc nc nc, djali i Netës t’i ketë bërë të gjitha këto? I di ajo, i di ajo se është një plakë e keqe që s’lë gjë pa marrë vesh, se ka dhe ata të shik-ut ajo që ia raportojnë nc nc nc.

Kryeministri ligjëroi pardje në atë që duhej të ishte akropoli i qytetarisë së kombit jo si tribun, por si parkat, ato magjistricat e liga të lashtësisë, të pista e skorbutike, që tirrnin lesh nga furkat e tyre dhe ndiqnin fatin e burrave me emër qyshse lindnin këta e deri në vdekje. Ashtu siç foli në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministres sonë s’i mbeti më asgjë nga dinjiteti i një gruaje shteti, e cila llafet e kuzhinës nuk duhet t’i nxjerrë në pazar. Ajo na zhgënjeu përfundimisht, ajo u tregua e paaftë të përmbajë instinktin e pëgërjes në publik. Vulgare, primitive, lapërdhare, shpifëse dhe gërgatëse. Zot bëje të pavërtetë atë që dëgjuam.